AKTAKUZA: PËR ÇKA PO AKUZOHEN AGRON MUSTAFA, EJUP QERIMI E REXHË XHONBALAJ

Sot është mbajtur seanca e parë në rastin e Agron Mustafës, Rexhë Gjonbalajt dhe Ejup Qerimit, të cilët po akuzohen për dëmtim të Telekomit të Kosovës në periudha të ndryshme sa kanë qenë në pozita udhëheqëse në ketë ndërmarrje. Të tre janë deklaruar të pafajshëm deriasa seanca e radhës do të vazhdoj në nëntor.

Por për çfarë po akuzohen këta tre zyrtarë?

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.

Reklama e sponzorizuar

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga gata 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale një kompanie tjetër.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër.

Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.