SHEFI I FMN-SË NË KOSOVË: SHQETËSUESE HYRJA E KOSOVARËVE NË KREDI PËR BLERJEN E PRONAVE

Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar është tërhequr vërejtja se rritja e shpejtë e huamarrjes nga konsumatorët e pasiguruar që përdoret për të financuar blerjen e pronave, mund të jetë shqetësuese.

Shumë qytetarë preferojnë që të blejnë prona, shtëpi apo banesa përmes bankave, duke u zhytur në kredi deri në 25 vjet.

Shefi i Fondi Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë ngriti si shqetësim rritjen e shpejtë të kredive në disa segmente.

Reklama e sponzorizuar

“Për shembull, rritja e shpejtë në huamarrjen nga konsumatorët e pasiguruar që përdoret për të financuar blerjen e pronave mund të jetë shqetësuese nëse kalon në furnizim të tepërt. Andaj, mbetet e rëndësishme për mbikëqyrësit që të monitorojnë kësi lloj dobësish”, ka thënë Vermulen.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive në dhjetë bankat komerciale ka arritur në mbi 2.6 miliardë euro, ku ekonomitë familjare kanë rreth 1 miliard euro kredi në bankat komerciale, derisa ndërmarrjet kanë mbi 1.6 miliardë euro.

Shuma e kredive për kredi hipotekare qëndron në rreth 370 milionë euro, prej tyre 183 milionë janë kredi hipotekare për prona komerciale kurse 188 milionë euro janë kredi për prona për vendbanime.