Në Kosovë vazhdon të abuzohet ekstremisht me çmimet e shumë produkteve, sidomos me çmimet e artikujve elementar dhe të nevojshëm përditë për konsumatorin e vendit. Ç’është më keq, ka muaj që, saktësisht qëkur në Republikën tonë ka filluar parafushtata zgjedhore, gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, në sektorin e tregtimit, përkatësisht në ecuritë e çmimeve ka dominuar një anarki totale, jashtë çdo norme ligjore dhe morale, dhe ka dominuar ngritja abuzive e çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre elementare.
Buletini Ekonomik
Në shtete të shumta të Europës dhe në disa vende të rajonit janë evidente trendet për të ulur çmimet e shumë produkteve, qoftë nëpërmjet masave të ndryshme dhe konkrete të ndërmarra nga autoritetet përkatëse për “stopimin” e ngritjes së çmimeve nga tregtarët abuzivë, qoftë nëpërmjet miratimit të ligjeve të veçanta, apo shtesave ligjore që synojnë të kufizojnë marzhin e fitimit të produkteve që konsumohen më shumë.
Për të qenë edhe më konkret, ditë më parë, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, që synojnë të kufizojnë marzhin e fitimit të kompanive për 102 grupe produktesh, që konsumohen më shumë. Bëhet fjalë, pra, kryesisht për produkte elementare ushqimore, por edhe të tjera që qytetarët e këtij vendi konsumojnë përditë dhe më shumë. Po sipas këtyre ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, tregtarët do të detyrohen të publikojnë çmimet e produkteve, në faqet e tyre të internetit.
Një skemë pak a shumë e tillë është aplikuar edhe në Holandë, Izrael dhe Kroaci dhe ka rezultuar e suksesshme. Kjo skemë e bërë me ligj në Maqedoninë e Veriut do të zbatohet për kompanitë e mëdha, ndërsa tregtarët e vegjël janë të përjashtuar nga ky detyrim.
Ndërkohë, në Kosovë vazhdon të abuzohet ekstremisht me çmimet e shumë produkteve, sidomos me çmimet e artikujve elementar dhe të nevojshëm përditë për konsumatorin e vendit. Ç’është më keq, ka muaj, ose saktësisht qëkur në Republikën tonë ka filluar parafushtata zgjedhore, gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, në sektorin e tregtimit, përkatësisht në ecuritë e çmimeve ka dominuar një anarki totale, jashtë çdo norme ligjore dhe morale, dhe ka dominuar ngritja abuzive e çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore dhe të higjienës (janë ngritur çmimet e produkteve të qumështit, të mishit në përgjithësi dhe të shumë produkteve të higjienës- detergjenteve, sapunëve dhe mjeteve dezinfektuese shtëpiake).
Është për të ardhur keq se në Kosovë janë evidentuar rritje çmimesh edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit. Me fjalë të tjera, kosovarët, praktikisht kanë mbetur në mëshirën e tregtarëve abuzivë, pasi që institucionet përgjegjëse nuk interesohen për anarkinë e krijuar, për shkak se po dominon domosdo çështja e politikave post-zgjedhore, e kalkulimeve për pushtet dhe për privilegje, që në Kosovë vijnë tok me pushtetin. Askujt nga autoritetet tani nuk i bie ndërmend për çmimet.
Safet Gërxhaliu, një vrojtues detajist i zhvillimeve edhe në sektorin e çmimeve thotë se “qytetarët në Kosovë kanë mbetur në mëshirë të tregtarëve”. Ndërsa, Skender Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë, vlerësoi në një prononcim për media se qeveria e Kosovës përveç ligjit për çmimet tavan, i aprovuar dy-tre vjet më parë dhe i refuzuar nga kushtetuesja, nuk ndërmori asnjë hap tjetër. Kjo, sipas tij, është e pakuptueshme.
Tani, kosovarët “kërcënohen”, praktikisht për çdo ditë edhe me çmimin e paralajmëruar se do rritet ndjeshëm të energjisë elektrike. Në medie të shumta po raportohet si akt i kryer ngritja e energjisë elektrike ende pa mbërritur 1 prilli, kur rëndom zyrtarizohen nga ZRRE-ja tarifat e reja të rrymës, ndërsa krahas ngritjes së çmimit të rrymës kanë zënë të shpërfaqen jo pak paralajmërime për çmime të reja të ngritura të shumë produkteve, që kanë ndërlidhshmëri vartëse me energjinë elektrike.
Ndërkohë, në bazë të të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e produkteve të konsumit u rritën në një mesatare prej 1.5 për qind në muajin janar 2025 në krahasim me muajin janar 2024. Sipas Agjencisë, shtrenjtim pati në pothuajse çdo artikull ushqimor, përfshirë edhe shërbime të tjera shtëpiake. Ndërkohë, krahasuar me muajin dhjetor 2024, në janar 2025 produktet u shtrenjtuan për 0.7%.
Çmimet e larta aktuale si pasojë e ngritjes së vazhdueshme abuzive dhe jashtë çdo logjike tregu (disa herë brenda vitit) nga tregtarët abuzivë kanë ndikuar imponueshëm në standardin jetësor, në mirëqenien e lëkundur seriozisht të kosovarëve, në varfërimin e shumë qytetarëve të këtij vendi dhe në thellimin e varfërisë. Çmimet e larta janë bërë një problem serioz për ekonomitë familjare në Kosovë, thonë edhe qytetarët, të cilët arsyetojnë shqetësimin e tyre me shporta të varfëruara dhe paga aktuale që nuk mbulojnë shpenzimet familjare. Prandaj ata kërkojnë masa institucionale për të zbutur situatën.
Duhet theksuar se angazhimi i shtetit në gjithë këto vite për mbrojtjen e konsumatorëve, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre dhe mbrojtjen e tyre nga tentativat dhe përpjekjet abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime në procesin e tregtimit, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg, ishte thuaja inekzistent. Shkurt, konsumatorët në Kosovë, një kohë të gjatë, në të gjitha ditët në vitet e fundit, janë jashtë vëmendjes institucionale. Janë totalisht jashtë vëmendjes së institucioneve të shtetit edhe në këta tre katër muajt e fundit, kur vendi u përfshi në fushata para dhe post-zgjedhore. Dhe mbetet të shihet se a do të kthehet ndonjëherë vëmendja e shtetit dhe pushtetit kah konsumatori i “lodhur” kosovar edhe nga abuzimet me çmimet. /Buletini Ekonomik/









