36 milionë euro kredi janë garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore

Drejtor menaxhues i Fondit për Garanci Kreditore, Besnik Berisha, bën të ditur se deri në fund të tetorit 2018 shuma totale e kredive të miratuara nga bankat dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë ka arritur në 75.3 milionë euro të shpërndara në mbi 1.928 kredi, ndërsa sipas tij pjesa e garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka arritur në 36 milionë euro.

Besnik Berisha, drejtor menaxhues i Fondit për Garanci Kreditore, bën të ditur se institucioni që e drejton është i pavarur, por u lëshon garanci institucioneve financiare për mbulimin e rrezikut për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Sipas tij, deri në fund të tetorit 2018 shuma totale e kredive të miratuara nga bankat dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë ka arritur në 75.3 milionë euro të shpërndara në mbi 1.928 kredi, ndërsa pjesa e garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka arritur në 36 milionë euro. “Shuma e përgjithshme e garancive të lëshuara gjer më tani është 36 milionë euro, ndërsa rritja vjetore e vitit 2018 e bazuar në principalin e portofolit të garancioneve është 124%”, ka thënë Berisha.

Ai ka bërë të ditur se garancitë kreditore lëshohen për NMVM-të në pronësi private, të cilat kanë regjistrimin e biznesit dhe numrat fiskalë, si dhe të cilat janë njëqind për qind (100%) në pronësi të qytetarëve privatë ose banorëve të përhershëm të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) përmes garantimit të portofolit kreditor të institucioneve financiare synon të përkrahë sektorin privat në Kosovë, duke zgjeruar qasjen në financa për NMVM-të të cilat nuk kanë kolateral të mjaftueshëm, duke mundësuar kështu edhe krijimin e vendeve të punës, rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e bilancit tregtar dhe avancimin e mundësive për sektorët ekonomikë më pak të shërbyer.

Për më tepër, si rrjedhojë e kësaj NMVM-të në sajë të përkrahjes financiare do të mundë të realizojnë investime të reja, investime inovative, duke rritur kështu konkurrueshmëri në tregun lokal, regjional, ndërkombëtar etj. Sipas Berishës, investimet e bëra me këto kredi premtojnë efekte pozitive në përgjithësi. “Sipas parashikimit të kredimarrësve, nga kreditë e lëshuara deri në fund të tetorit 2018 do të krijohen 2.681 vende të reja pune, si dhe 79.8 milionë euro rritje të qarkullimit mbi bazën e tanishme të qarkullimit të NMVM-ve përkatëse”, ka sqaruar ai.