Raportet e auditimit për ndërmarrjet publike ishin temë debati me akuza dhe kundër-akuza në mes deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, u tha se që nga viti 2014, janë 295 milionë euro kredi të cilat ende nuk janë tërhequr për shkak të vonesave në fillimin dhe realizimin e projekteve.
Debati nisi paradite në momentin kur në pikë të rendit të ditës erdhi raporti për stacionin e autobusëve, ku pati një debat në mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanja dhe deputetëve të tjerë. Këta të fundit i thanë se raportet të ndërmarrjeve lokale shqyrtohen në kuvende komunale.
Deputeti Selmanaj tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur vonë t’i auditojë këto ndërmarrje para dy viteve.
“17 vite këto ndërmarrje kanë qenë qerdhe të partive politike për të abuzuar me paranë publike në Kosovë dhe në momentin kur kemi filluar me i hap letrat po fillojnë të shqetësohen këta sepse pjesa dërrmuese e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike do të dalin të partisë së këtyre….disa profesorë vazhdojnë të abuzojnë me paranë publike në çfarëdo forme dhe nuk shkon kështu, edhe për profesorë kish vend në burg“, ka thënë ai.
Atij iu ka kundërpërgjigjur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se Driton Selmani e mbajti një demagogji duke folur për rëndësinë e raportimit dhe shqyrtimit të raportit të stacionit të autobusëve, kurse tash ka ikur kur raporton auditori i përgjithshëm.
“Kush janë ushtarët e vërtetë le të na tregon Driton Selmani. Ne që jemi me plagë në trup ndoshta për Driton Selmanin nuk jemi , ushtarë të vërtetë për të janë ata që e kanë dhunuar këtë popull, që e kanë masakruar, ndoshta ata mendon që janë ushtarë të vërtetë, ata që kanë bërë këtu me mijëra krime, ata ndoshta janë ushtarët e vërtetë sipas Driton Selmanit. Kush janë ata profesorë abuzues sipas Driton Selmanit, sepse e ka marrë një shprehi ciu-ciu, disa ata, ata disa ciu ciu, le të tregon kush janë. Unë e kuptoj që sot është dita e vërtet e Driton Selmanit, është e premtja e zezë, prej që mbahet mend në institucionet që ka udhëheq, shoqërinë civile Driton Selmani veç zi ka pa, prandaj ia uroj ditën e premtja e zezë Driton Selmanit“, ka thënë ai.
Kurse, auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, duke prezantuar raportin vjetor të Auditimit për vitin 2017, ka thënë se ka publikuar 118 raporte, të gjitha ofrojnë informata të besueshme për shpenzimet e 2 miliardë eurove të parasë publike dhe disa fondeve të donatorëve.
Osmani bëri të ditur se shkalla e realizimit të pranimeve krahasim me buxhetin fillestar është 91 përqind, realizimi i pagesave kundrejt buxhetit fillestar ka qenë rreth 88 përqind, kjo sipas tij tregon se planifikimi fillestar i buxhetit kërkon analiza më të mira para se i njëjti të miratohet.
Ai tha se Qeveria ka mbajtur nën kontroll deficitin dhe ai është brenda kufijve të lejuar me ligj.
“Sa i përket borxhit publik shuma është mbi 1 miliardë euro, duke llogaritur edhe 44 milionë të garancioneve shtetërore. Niveli i borxhit publik në fund të vitit 2017 ka qenë 16.7 e bruto produktit vendor. Theksi ynë lidhur me këto borxhe është mos efikasiteti i shpenzimeve, pasi që 295 milionë euro kredi që nga viti 2014 ende nuk janë tërhequr për shkak të vonesave në fillimin dhe realizimin e projekteve. Ndërkohë, që shuma të konsiderueshme të shpenzimeve dhe tarifave të tjera janë paguar brenda kësaj periudhe rreth 19 milionë euro të buxhetit të Kosovës”, tha ai.
Ai tha se në bazë të kësaj nuk ekziston ndonjë kërcenim serioz i stabilitetit financiar. Megjithatë, ai ka përmendur tri problemet serioze, që sipas tij e ndikojnë bilancin e buxhetin.
“Detyrimet e papaguara dhe ato kontingjente, detyrimet e papaguara të organizatave buxhetore ndaj operatorëve ekonomik në fund të vitit kanë qenë 200 milionë, 170 milionë të nivelit qendror, 30 milionë të nivelit komunal. Përveç këtyre detyrimeve ekzistojnë edhe disa detyrime kontingjente apo potenciale të cilat janë rezultat i padive gjyqësore dhe pritet të marrin epilogun, shuma e këtyre detyrimeve të mundshme është 140 milionë euro, 76 në nivelin qendror dhe 66 milionë në nivel lokal. Pra, këto dy lloje të detyrimeve nëse realizohen arrijnë vlerën prej 340 milionë euro që mund t’i bëjnë presion buxhetit të Kosovës”, tha ai.
Ai bëri të ditur se 9 ndërmarrjet publike që janë audituar vitin e kaluar kanë një shumë të kredive prej 95 milionë euro, ai tha se aftësia e tyre likuiduese për kthimin e këtyre kredive është e dobët.
Nënkryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, Mergim Lushtaku, ka prezantuar rekomandimet që i kanë bërë lidhur me raportin e auditimit.
“Brenda tre mujorit të parë të vitit 2019 të fillojë procesin e regjistrimit të të gjitha pasurive të pronës së institucioneve publike të cilat nuk janë në regjistrat e pasurisë dhe ta përfundojë këtë brenda afateve tre vjeçar. Procesi i regjistrimit duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit. Nën dy, deri në fund të vitit të hartoj programin e masave dhe të aktiviteteve për zvogëlimin e detyrimeve të papaguara dhe të kontingjenteve dhe ky program të përfshihet në kornizën afatmesme të shpenzimeve publike, në mënyrë që të reflektohet në ligjin vjetor të buxhetit për tri vitet e ardhshme. Masat duhet të rezultojnë me përmirësimin e dukshëm të disiplinës financiare dhe pagesën e detyrimeve brenda afateve, tha ai.