Dokumenti i Qeverisë: Kategoritë sociale do ta ‘hanë’ 40 % të buxhetit

Një dokument i brendshëm i Ministrisë së Punës mbi reformën e sistemit pensional në Kosovë alarmon mbi rrezikun që paraqet për buxhetin përfshirja në sistemin pensional e skemave të reja sociale.

Dokumenti i cili quhet “Rregullimi dhe Menaxhimi i Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve nga Sigurimi Social”, thotë se nëse përfshihen në sistemin pensional të gjitha kërkesat për kategori të reja sociale, atëherë gati gjysma e buxhetit të vendit do të shkonte në pensione.

“Vazhdimi i gjendjes ekzistuese do të ketë implikime buxhetore që në të ardhmen afatmesme do të jenë të papërballueshme për buxhetin e Kosovës. Në vitin 2018 skemat pensionale do të kushtojnë rreth 380 milionë euro. Kur kemi parasyshë se disa ligje për skema të reja janë në procedurë të miratimit, disa të tjera po presin per t’u proceduar dhe duke llogaritur shtimin natyror të përfituesve, është shumë e mundur që në vitin 2019 shpenzimet të arrijnë shumën e mbi 430 milionë eurove”, thuhet në këtë dokument një kopje të te cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa nëse aprovohen edhe kategori të reja sociale, sipas dokumentit të Ministrisë së Punës shpenzimet totale për pensione do të arrijnë gati 40 për qind të buxhetit të Kosovës, shkruan Buletini Ekonomik.

“Nuk do të ketë hapësirë per rritje të pensioneve sepse çdo rritje do të shkaktojë reagim zinxhiror dhe shuma totale do të kalojë çdo limit apo mundësi për t’u përballuar nga buxheti i tanishëm i Kosovës me rritjen ekonomike ekzistuese”, thuhet në raport.

Aktualisht janë mbi 20 skema pensionale dhe janë në pritje edhe disa ligje, sic është Ligji për Policinë, për Arsimtarët, kërkesat për pension të punëtorëve shëndetësorë të viteve 90’, punëtorëve të sportit të viteve 90’ dhe puntorëve të tjerë të Republikës së Kosovës të viteve 90-të. /Buletini Ekonomik/