Haradinaj: Nënshkrimi i nëntë marrëveshjeve do të çojë në unifikim të ekonomive

Ka filluar mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, e pesta me radhë, ku kësaj here po mbahet në Pejë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shpalli të hapur mbledhjen e përbashkët.

“Jam i lumtur për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe jam i bindur se mundësia për të nënshkruar 9 marrëveshje do të çojë deri në unifikimin e ekonomive tona dhe jo më kaq. E di që populli pret më shumë nga ne dhe ne do të angazhohemi edhe më shumë dhe vetëm me punë do të marrim respektin e të gjithëve”, ka thënë Haradinaj.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se Peja diti t’i thotë jo ndarjes në ‘99, Peja e Haxhi Zekës, Peja e qershorit ’99 shkrumb e hi e me shumë dhimbje u ringrit për të mos u rrëzuar më kurrë, madje duke ndërtuar shtyllat kryesore të jetës shtetërore me shumë mund.

“Sot Kosova është palë kontaktuese me BE-në, me MSA-në, zbaton prioritetet e reformës evropiane dhe ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ashtu si çdo popull edhe Kosova pret që vendimmarrja të jetë pozitive”, ka thënë Haradinaj.