Larg syve të publikut dhe pa procedura tenderuese, Qeveria e Kosovës në vitin 2017 nënshkroi kontratë milionëshe me kompaninë Limak, koncesionarin aktual të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Kontrata, një kopje të te cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik, peshon 33.6 milionë euro dhe ka të bëjë me zgjatjen e pistës së Aeroportit. I gjithë ky investim do të bëhet me paratë e taksapaguesve kosovarë.
Shkruan: Agon Sinanaj
Në gusht të vitit 2017, një muaj para se vendi të shkonte në zgjedhje, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës nënshkroi kontratë milionëshe me kompaninë Limak, koncesionarin e Aeroportit Ndërkombtar të Prishtinës.
Kontrata për “Zgjatjen e Pistës së Aeroportit”, ka vlerë 33.6 milionë euro dhe i gjithë investimi do të jetë nga paratë e taksapaguesve kosovarë, ani pse me Aeroportin nga viti 2010 menaxhon një kompani private, shkruan Buletini Ekonmik.
Ndonëse bëhet fjalë për një investim publik, i gjithë procesi deri të nënshkrimi i kësaj kontrate është zhvilluar në mënyrë krejtësisht jo transparente. Përvec që u mbajt sekret në kohën e nënshkrimit, kontrata nuk është publikuar as sot e kësaj dite nga Ministria Infrastrukturës e cila është palë nënshkruese e saj.
Buletini Ekonomik ka siguruar një kopje të kësaj kontrate, ku shpalosen në detaje të gjitha obligimet që ka marrë Qeveria e Kosovës për përmbushjen e këtij investimi prej 33.6 milionë euro me paratë e taksapaguesve kosovarë.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Limak Kosovo Airport J.S.C janë pajtuar për të përmbyllur një kontratë publike për punë si me poshtë: “Zgjatjen e pistës, ngritjes së sistemit instrumental të aterrimit dhe sistemit të radiokomunikimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari”, thuhet në hyrje të kontratës.
Kontrata ka për qëllim zgjatjen e pistës së Aeroportit për 500 metra, si dhe blerjen e disa pajisjeve tjera që nevojiten për ngritje të sistemit të aterrimit dhe radiokomunikimit.
Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime në Ministrinë e Infrastrukturës e cila është pala nënshkruese si dhe nga Ministria e Financave, por nga asnjëra prej tyre ende nuk ka marrë përgjigje.
Kontrata për Zgjatjen e Pistës pa procedura tenderuese
Për me tepër, kontrata për kyerjen e punëve i është dhënë Koncesionarit të ANP-së, kompanisë Limak Kosovo International JSC, pa zhvilluar fare procedurë tënderuese, por duke përdorur negociatat direkte pa publikim të kontratës.
Kjo gjetje është evidentuar edhe në raportin e publikuar së fundi “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit Adem Jashari” me autor Hekuran Muratin.
“Kontrata për kryerjen e punëve i është dhënë Koncesionarit të ANP-së, kompanisë Limak Kosovo Internation- al JSC, pa zhvilluar procedurë tenderimi, por duke përdorur negociatat direkte pa publikim të kontratës. Arsyetimi për këtë veprim është se në Kontratën e Koncesionimit ka klauzola të cilat i japin të drejta ekskluzive Koncesionarit, dhe si pasojë çfarëdo pune që kryhet brenda hapësirave të ANP duhet t’i ipet vetëm Koncesionarit”, konstaton kjo analizë.
Murati në analizën e tij vlerëson se “fakti që një kontratë me vlerë rreth 34 milionë euro është nënshkruar gjatë kohës sa qeveria ka qenë në dorëheqje, dhe e tëra është bërë në mënyrë jo-transparente pa tender, lë hapësirë për të dyshuar që kjo kontratë mund të ketë elemente të keqpërdorimit të parasë publike”.
Sipas kësaj analize, nëse shikohet si tërësi, vërehet se i tërë ky proces ka qenë në shërbim të shpërblimit të Koncesionarit me këtë kontratë.
“Me fjalë tjera, përfituesi i kontratës është ditur që në fillim, ndërsa procesi ka zgjatur derisa MI ka gjetur mënyrën më të përshtatshme që kryerjen e punëve të këtij projekti t’ia japë Koncesionarit ekzistues të ANP”.
Zgjatja e Pistës nuk u përfshi në kontratën bazë të koncesionimit
Në vitin 2010, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës i ishte dhënë nën menaxhim kompanisë turke Limak, përmes Partneritetit Publiko-Privat. Vlera e kontratës është 100 milionë euro dhe koncesionari, në këtë rast kompania turke Limak, obligohej që të kyente një serë investimesh në Aeroport.
Megjithatë në mesin e punëve që duhej të kryheshin nuk ishte paraparë edhe zgjatja e pistës. Kjo për hartuesin e analizës deri më tani të vetme mbi këtë kontratë, përbën dyshim në vetvete.
“Duhet të shtrohet pyetja se nëse zgjatja e pistës ka qenë e domosdoshme, pse kjo nuk është përfshirë në kuadër të punëve obligative në Kontratë të Koncesionimit. Një gjë të tillë e ka bërë Republika e Maqedonisë, ku njëri nga kriteret për dhënien me koncesion të Aeroportit të Shkupit ka qenë zgjatja e pistës nga 2,500m në 3,000m, pra për 500m, aq sa kërkohet edhe tani të zgjatet pista e ANP me këtë projekt”, ka ngritur Murati shqetësimin në analizën e tij.
Në analizë thuhet se ideja fillestare ishte që zgjatja e pistës të përfshihej si punë shtesë e investitorit, por kjo nuk ndodhi asnjëherë.
Nga ajo që shihet në preambulë të kontratës, por edhe nisur nga fakti që kërkesa është dorëzuar tek Komiteti për Partneritet Publiko-Privat që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, vërehet se fillimisht është menduar që projekti për zgjatjen e pistës t’i ipej Koncesionarit si punë shtesë në kuadër të Kontratës për Koncesionim.
Por kjo alternativë, sipas analizës “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit”, paraqiste problem për shkak të kufizimit të punëve shtesë në maksimumi 10% të vlerës së kontratës bazë.
Vlera e kontratës bazë, në këtë rast Kontrata e Koncesionimit, me rastin e nënshkrimit ishte vlerësuar të jetë 100 milionë euro. Kurse shuma e projektit që po tentohej të zbatohej në kuadër të punëve shtesë ishte 33.6 milionë euro, pra dukshëm më e lartë sesa 10%-shi i lejuar me ligj.
“Si rezultat i kësaj, MI ka vendosur që kontraktimin e punëve në vlerë prej 33.6 milionë eurosh, t’a bëjnë përmes procedurës së negociimit, pa publikim të kontratës”, vlerëson analiza. /Buletini Ekonomik/
Vazhdon nesër: Cilat ligje u shkelen me kontratën për Zgjatjen e Pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës?