Operatorët kabllor në vend janë duke i manipuluar konsumatorët me oferta promovuese televizive, ndërprerje të paparalajmëruara të transmetimit të kanaleve të caktuara, si dhe detyrim vazhdimi të kontratave një vjeçare jashtë rregullave kontraktuese. Madje, të njëjtit operatorë po i kërcënojnë klientët edhe me përmbarues në rast të shkëputjes së kontratave para kohe.
Mirjeta Shabani
Ditëve të fundit në Kosovë, një numër i madh i konsumatorëve të shërbimeve kabllore janë duke shfaqur pakënaqësi të shumta në lidhje me padrejtësitë që po iu bëhen atyre me rastin e lidhjeve të kontratave me operatorët kabllor, shkeljen e kontratave, manipulimet e operatorëve ndaj klientëve, mosrespektimin e pikave të kontratave individuale mes palëve, si dhe pamundësinë e tyre për shkëputje të kontratave para kohe duke u kërcënuar kështu me përmbarues nga operatorët.
Me një fjalë, operatorët kabllor në vend janë duke i shkelur të drejtat bazike të konsumatorëve që garantohen me ligjet e Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.
Problemi si i tillë është shtjelluar së pari nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), të cilët përmes platformës ‘Mbrojtësit e Konsumatorëve’, kanë bërë të ditur se kohëve të fundit janë rritur shumë ankesat e konsumatorëve lidhur me operatorët kabllorë, me ç’rast të njëjtit kanë shkelur kontratat duke ngritur papritmas çmimet mujore të pakove, duke ndërruar kanalet pa paralajmërim ose duke i refuzuar konsumatorët t’i shkëpusin kontratat 6 mujorëshe ose 1 vjeçare.
Kjo platformë që synon të mbrojë të drejtat e konsumatorëve, përmes një letre zyrtare drejtuar Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), ka kërkuar që të adresohen zyrtarisht ankesat e konsumatorëve për manipulime e shkelje të kontratave nga ana e operatorëve kabllorë.
“Me anë të letrës sonë, ne kërkojmë sqarim nga KPM se si i mbron ligji konsumatorët të cilët po ankohen për manipulime me çmime nga operatorët kabllorë, ndërrimin pa paralajmërim të kanaleve, kontratat e paunifikuara të operatorëve kabllorë e pa anekse të listave të kanaleve dhe refuzimin e operatorëve kabllorë për shkëputjen e kontratave”, thuhej në letrën e INDEP-it.
Mirëpo, KPM-ja si institucion nuk e ka parë veten si organ përgjegjës për trajtimin e ankesave të këtyre konsumatorëve, duke thënë se ata nuk kanë mandat për të kontrolluar përmbushjen apo jo të kontratave mes konsumatorëve dhe operatorëve kabllorë.
Në përgjigjet e KPM-së thuhej se “pretendimet ankimore të palëve ankuese lidhur me ndërprerjen e kanaleve të caktuara, kanë të bëjnë me mospërmbushje të marrëveshjeve të lidhura mes palëve kontraktuese (heqja e kanaleve me përbajtje sportive dhe përmbajtje tjera) dhe si të tilla janë jashtë obligimeve të operatorëve të shpërndarjes të përcaktuara me Rregulloren për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuale KPM-2020/01”.
Në bazë të kësaj, nga KPM-ja kanë sqaruar se nuk kanë kompetenca në lidhje me këto pretendime ankimore, pasi që çështjet kontestuese në mes të palëve kanë të bëjnë me mospërmbushjen e obligimeve kontraktuale, dhe si të tilla duhet të adresohen nga vet palët kontestuese.
Ndërkohë, në platformën “Mbrojtësit e Konsumatorëve” janë pranuar ankesa të shumta se si operatorët kabllor po i ndryshojnë listën e kanaleve pa paralajmërim, dhe se si kjo po shkakton probleme të shumta te konsumatorët pasi ata kanë lidhur kontrata me këta operatorë pikërisht shkaku i këtyre listave të programeve, dhe se ndërprerja e shfaqjes së programeve të caktuara po konsiderohet si mashtrim ndaj klientëve.
Fatbardha Restelica, asistente kërkimesh në INDEP, ka thënë për Buletinin Ekonomik se konsumatorët po ankohen se shumica e tyre kanë lidhur kontrata afatgjata, 6- mujorëshe ose 1 vjeçare me këta operatorë me çmime promovuese dhe se përkundër kësaj, operatorët kabllor po bëjnë shtrenjtime të kontratave, duke i tarifuar kështu shërbimet mujore me çmime më të larta nga sa janë dakorduar përmes kontratave me konsumatorë në fillim.
Gjithashtu, në përgjigjet e Restelicës thuhet edhe se konsumatorët po ankohen se operatorët kabllor nuk po i lejojnë konsumatorët të bëjnë shkëputjen e kontratave dhe po i kërcënojnë konsumatorët me përmbarues.
“Kjo jo që është e padrejtë, por është shkelje e të drejtës së konsumatorit për t’u terhequr nga kontrata, aq më tepër që konsumatorët kanë arsye të justifikueshme se pse po duan t’i shkëpusin këto kontrata”, thotë tutje Fatbardha nga INDEP.
Çështje tjetër, sipas INDEP-it është edhe fakti që konsumatorët nuk janë të informuar mirë as se çka përmban kontrata e tyre.
“Shembull, kontratat nënshkruhen shpejt e shpejt dhe agjentët e operatorëve kabllor nuk iu shpjegojnë kontratat dhe nenet e kontratave konsumatorëve ashtu siç e kërkon ligji. Me një fjalë, konsumatorët po ‘joshen’ në kontrata që në shikim të parë duken të përballueshme e të lira, e më pastaj po iu del që ata as nuk mund t’i shkëpusin këto kontrata, e ku këto kontrata në asnjë rast nuk e mbrojnë konsumatorin, por vetëm interesat ekonomike të operatorëve kabllor”, thonë ata.
Pra, përmes këtyre kontratave, konsumatorët në vend po dëmtohen ekonomikisht nga operatorët kabllor dhe mbrojtja e konsumatorëve nuk po shihet si e rëndësishme nga asnjë operator kabllor në vend.
Gjithashtu, nga INDEP thonë se ata kanë identifikuar se shumica e operatorëve kabllor nuk pranojnë të lëshojnë as kontrata afatshkurtra për konsumatorët dhe se kjo sipas tyre po ngjallë dyshime edhe për marrëveshje të fshehta mes operatorëve kabllor.
“Pastaj, kjo në vete përbën një shkelje tjetër të Ligjit Mbi Konkurrencën, ligj ky që kategorikisht i ndalon marrëveshjet mes operatorëve tregtar”, theksojnë tutje nga INDEP.
Në anën tjetër, edhe në Departamentin e Inspektoratit të Tregut që funksionon brenda Minsitrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), deri më tani kanë shkuar gjithsej 180 ankesa nga qytetarët, të cilët janë ankuar pikërisht lidhur me shërbimet e telekomunikimit kabllor të ofruar nga një operator ekonomik. Madje dje, e njëjta ministri i dha edhe epilog këtij problemi duke e paditur njërin prej operatorëve për këto shërbime, ‘IPKO’-n.
Inspektorati i Tregut brenda kësaj ministrie tashmë ka inicuar edhe kërkesën për procedurë kundërvajtëse pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë më datë 23.09.2021, pikërisht për operatorin slloven IPKO.
Sipas njoftimit të bërë nga ministria, ankesat kanë të bëjnë me ndërprerjen e transmetimit të disa kanaleve pa asnjë paralajmërim apo njoftim paraprak, gjë që i ka shtyrë një numër të madh të konsumatorëve të bëjnë ankesë me pretendimin se janë mashktruar nga operatori përkatës.
Gjithashtu operatori kabllor ‘IPKO’, thuhet se ka vendosur kushte të padrejta nëpër kontrata duke i kushtëzuar kështu klientët që në rast të shkëputjes së kontratës para afatit prej 12 muajsh, klienti apo konsumatori obligohet të paguajë për muajt e mbetur, edhe pse i njëjti nuk ka mundësi t’i shfrytëzojë shërbimet për të cilat ka lidhur kontratën.
Përveç kësaj, nga Inspektorët e Inspektoratit të Tregut është thënë se në bazë të ankesave që kanë pranuar, operatori kabllor përkatës ka bërë edhe reklama mashtruese për klientët duke promovuar shërbime të cilat nuk i ofron fare, ose ka qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund t’i ofrojë.
Mirëpo, ankesa të shumta nga klientët ka edhe për operatorët e tjerë përveç IPKOS, si “Kujtesa”.
Një konsumator i këtij operatori, nën kushte anonimiteti ka thënë për Buletinin Ekonomik se kulmi i pakënaqësive me Kujtesën ka arritur pikërisht sivjet, veçmas gjatë muajit gusht, kur edhe i ka skaduar kontrata, dhe se kur ka shkuar të paguajë për muajin vijues për pakon e njëjtë që e ka shfrytëzuar deri atëherë, pa asnjë paralajmërim paraprak i është kushtëzuar pagesa dyfish më e lartë me ultimatumin ‘merre ose leje’.
“Për të qenë më konkret, pakon time deri në shtator të sivjetshëm e kam paguar 12 euro. Në këtë pako kanë qenë të futura edhe disa programe sportive- kryesisht transmetime të ndeshjeve të ndryshme ndërkombëtare nga ligat e disa shteteve. Edhe këto transmetime vazhdimisht janë reduktuar pa paralajmërim”, thotë ai.
Në shtator, çmimi i pakos prej 12 eurosh është ngritur në 24,99 euro, pra në 25 euro, që i bie mbi 110 për qind. Dhe tani nga fillimi i muajit shtator, në Kujtesë, pakoja më e lirë, pa sport fare, kushton 16 euro.
“Për çmimet enorme të reja në Kujtesë arsyetohen gjoja me shtimin e kanaleve të reja. Ky arsyetim nuk qëndron fare. Tani, unë që kam parapaguar pakon pa sport, pra atë të 16 eurove, kam mundësi të shohë diku mbi 60-70 për qind më pak kanale televizive se sa kam patur mundësi të shikoja më herët në bazë të kontatës paraprake që ishte qind për qind më e lirë”, u shpreh klienti në fjalë.
Ndryshe, operatorët kabllor, sipas institutit INDEP, e kanë shkelur Ligjin në pikat si në vijim:
-Me nenin 72 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit te ‘Kushtet të cilat konsiderohen si të padrejta në kontratë’, praktika e operatorëve kabllorë për të mos përfshirë si aneks Listën e Kanaleve dhe ndryshimin pa paralajmërim të listës së kanaleve, përkufizohet me pikën 1.10:
‘Mundësimit të shitësit apo furnizuesit të ndryshoj kushtet e kontratës në mënyrë të njëanshme, pa një arsye të vlefshme e cila është e specifikuar në kontratë; ‘ dhe pikën 1.11:
‘Mundësimit të shitësit ose furnizuesit të ndryshoj në mënyrë të njëanshme ndonjë nga karakteristikat e produktit ose shërbimit të ofruar, pa një arsye të vlefshme;’.
Po ashtu, me Ligjin për Komunikimet elektronike numër 04/L-109, neni 85, pika 7 përkufizohet se: ‘konsumatorët…. nëse kërkojnë, duhet të kenë mundësinë që të lidhin kontratë me ndërmarrësit tjerë që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike ose qasje në rrjetet publike të komunikimeve elektronike. Kontrata së paku duhet të përmbajë detajet për çmimet dhe tarifat, mënyrën se si informatat e përditësuara për të gjitha tarifat dhe shpenzimet e mirëmbajtjes mund të merren, mënyrat e ofruara të pagesës, si dhe çdo diferencë në çmime varësisht nga mënyra e pagesës;’.
Konsumatorët, gjithashtu po ankohen se pavarësisht kontratave që kanë lidhur me çmime fikse nga operatorët kabllorë, operatorët po i ngrisin çmimet pa paralajmërim, duke iu shkaktuar dëme ekonomike konsumatorëve.
E neni 85 tutje vazhdon se kontrata duhet të përmbajë pika si: ‘kohëzgjatja e kontratës dhe kushtet për përtëritje të kontratës, përfundimin e kontratës si dhe përfundimin e shërbimeve, duke përfshirë përcaktimin e kohëzgjatjes minimale për të përfituar nga ofertat promovuese; çfarëdo pagese lidhur me shkëputjen e kontratës, përfshirë këtu pagesat që kanë të bëjnë me pajisjet fundore; kompensimin dhe rimbursimin në rastet kur shërbimi i ofruar nuk është në nivel të cilësisë së kontraktuar.’
Tutje, e drejta e garantuar me Ligjin për Komunikimet elektronike numër 04/L-109, neni 85, pika 7.5. parasheh: ‘të drejtën e parapaguesit që të shkëpusin kontratën e tyre pa u ndëshkuar pas paralajmërimit për modifikim të kushteve të kontratës të propozuara nga ndërmarrësit që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike. Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para futjes se këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që, pa asnjë pasojë, të shkëput kontratën.’
Pra, të gjitha rregullat e mësipërme të cekura janë disa nga dispozitat ligjore të cilat po shkelen vazhdimisht nga operatorët kabllor dhe që po i dëmtojnë konsumatorët.
Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje edhe tek Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) rreth kushtëzimeve drastike që kompanitë kabllovike janë duke ua bërë klientelës rreth nënshkrimit të kontaratave dhe të na referojnë tek ndonjë ligj apo rregullore, që rregullon marrëdhëniet kontraktuale mes operatorëve kabllor dhe konsumatorëve, mirëpo, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ata nuk i janë përgjigjur shkresës. /Buletini Ekonomik/