Qindra brende vendore janë ekspozuar këtë mërkurë në edicionin e dytë të konventës së veshmbathjeve të Kosovës.
Aty, me brendin e saj të veshjeve për femra dhe meshkuj, ishte edhe Mimoza Cana, e cila tha se produktet e tyre shiten anembanë botës, raporton KTV.
Fillimi tha të ketë qenë i vështirë, por tash po arrijnë t’i bëjnë konkurrencë shumë brendeve botërore.
Në mbështetje të tyre ishte edhe Kryeministri, Ramush Haradinaj, sipas të cilit Kosova mund t’i bëjë konkurrencë edhe Kinës.
Sipas tij, në vitet 2016 -2018, Kosova, sa i përket veshmbathjes, ka eksport 11 herë më pak sesa import.
Ndërkohë, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Amerikës në Kosovë, Colleen Hyland, tha se ndërmarrësia e ka bërë Kosovën të njohur në botën e veshmbathjes.
Ndërkohë, Bardha Sadrija, Kryetare e Bordit të KAMA-s, beson fuqishëm në potencialin e zgjerimit të tregut për prodhuesit vendorë.
Sipas saj, duke u bërë globalë ndikojnë në krijimin e vendeve të punës, në avancimin e teknologjisë prodhuese si dhe në zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë.