Kryeministri “fsheh” vendimin për ndalimin e privatizimit të pronave në komunat serbe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, këtë të marte, në faqen e tij në facebook, njoftoi qytetarët për vendimet që kishte marrë Qeveria, në mbledhjen e saj, ku përfshihet edhe vendimi për taksën prej 10 për qind ndaj produkteve serbe.

Kryeministri në postimin e tij përmend të gjitha vendimet me radhë, përveç njerit, shkruan Buletini Ekonomik.

Në postimin e kryeministrit mungon krejtësisht vendimi me të cilin Qeveria ndaloi privatizimin e pronave shoqërore në komunat me shumicë serbe, me ç’rast pronësia nga AKP kaloi tek komunat respektive.

Reklama e sponzorizuar

“Për të mbrojtur produktet vendore, në Mbledhjen e 74-të të Qeverisë, kemi miratuar vendimin për vendosjen e masave në importin e mallërave me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, përjashtuar brendet ndërkombëtare. Kemi miratuar, poashtu, Projektligjin për aderimin e Kosovës në shkollën rajonale për administratë publike (ReSPA), e cila do të avancojë statusin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe do të fuqizojë shkëmbimin e përvojave me shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Me qëllim që të mbrohet ajri nga ndotja dhe për një ambient të pastër, kemi marrë vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në ndërtesat e institucioneve publike. Po sot, është emëruar drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Akreditim në suaza të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, thuhet në postimin e Haradinajt.

Mirëpo në të njejtën ditë Qeveria postoi ne faqen e saj të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e së martës. Aty figuron edhe vendimi për pronat në komunat serbe.

“Qeveria ka aprovuar propozimet e Ministrisë së Administrimit së Pushtetit Lokal, që të aprovohen kërkesat e komunave të Mitrovicës së Veriut, Ranillugut dhe Kllokotit për tërheqje nga procesi i privatizimit dhe kthim në pronësi të komunës të objekteve dhe pronave të paluajtshme me qëllim të realizimit të projekteve të interesit publik”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, pas mbledhjes.

Edhe Kryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, përmes një njoftimi për media bëri të ditur sot se “Lux lokali” dhe asetet e tjera shoqërore brenda juridiksionit të komunave serbe iu është ndaluar privatizimi.

Ndryshe përmes këtij vendimi Qeveria e Kosovës e ka përmbushur një kusht të kahmotshëm të Listës Serbe rreth privatizimit të pronave shoqërore që gjenden në komunat me shumicë serbe.

Kujtojmë se Lista Serbe edhe në vitin 2015 kishte marrë garanci nga koalicioni qeverisës, aso kohe mes PDK-së dhe LDK-së, se nuk do të ndodhë privatizimi i pronave shoqërore në këto komuna.

Saktësisht, Qeveria ka aprovuar kërkesat e komunave të Mitrovicës së Veriut, Ranillugut dhe Kllokotit për tërheqje nga procesi i privatizimit të te gjitha pronave shoqërore që ndodhen në këto komuna. /Buletini Ekonomik/