Shtetet e fuqishme, ato të cilat e shpallën qymyrin dhe resurse të tjera fosile praktikisht të ndaluara që me fillimin e krizës brutale energjetike të vitit 2022 dhe nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, kanë nis të rehabilitojnë kapacitete energjetike në bazë të qymyrit.
Ndërsa para dy tre ditësh, po këto shtete të fuqishme, me qëllim të zëvendësimit të gazit rus me burime alternative, kërkojnë të rehabilitojnë edhe emetimet e metanit, një nga ndotësit më të dëmshëm, madje edhe përtej dioksidit të karbonit.
Pse Kosova, një orë e më parë, dhe pa humbur asnjë çast, duhet të shfrytëzojë momentumin e ri të rehabilitimit të qymyrit dhe të nisë ndërtimin e një termocentrali në bazë të këtij resursi që e kemi me rezerva kolosale të verifikuara dhe thuaja në sipërfaqe të tokës?
Mehmet GJATA
Kosova nuk ka energji të mjaftueshme për të përmbushur nevojat në rritje të konsumit vetanak.
Nuk ka kapacitete prodhuese që do të siguronin energjinë elektrike të nevojshme, sepse termocentralet ekzistuese Kosova A dhe B, siç dihet, janë të stërvjetruara, të amortizuara skajshmërisht dhe pavarësisht ndërhyrjeve thuaja të vazhdueshme për t’i riparuar ato, nuk premtojnë prodhim të sigurtë dhe të vazhdueshëm në periudha më të gjata kohore.
Kapacitetet e reja prodhuese, ‘merre kah ta marrësh’, edhe sipas analizave të ekspertëve, parashihen të jenë alternativa e vetme e sigurtë për të krijuar stabilitet më afatgjatë në sektorin energjetik të vendit.
Në dekadën e fundit, duhet thënë, nuk ka pasur qartësi të mjaftueshme të kaheve zhvillimore të sektorit energjetik të vendit, në radhë të parë për shkak të dështimeve të autoriteteve vendimmarrësse, të cilat janë treguar të paafta dhe fare largpamëse karrshi nevojave të vendit për rrymë, për të vendos orientimet strategjike të nevojshme për të zhvilluar sektorin energjetik.
Por, ndikimm jo të vogël në ngecjen e sektorit energjetik të Kosovës në këto vite kanë pasur edhe ndikimet e botës ndërkombëtare energjetike (asociacioneve të ndryshme, dokumenteve të miratuara ndërkombëtare dhe ca afateve për të reduktuar ndjeshëm qymyrin si resurs energjetik, të cilat, siç po shihet tani, sidomos pas krizës së egër energjetike dhe nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, iu kërkua praktikisht të respektohen vetëm shteteteve të vogla siç është Kosova, për t’u orientuar kah energjia e rinovueshme).
Në këtë mënyrë, në një farë mënyre, në Kosovë, pa analiza të thelluara u hoq lehtësisht dorë nga resurset tradicionale të deritashme, siç është qymyri.
Kosova, pra, pa politika të themelta të zhvillimit të sektorit energjetik, pa koncepte të qarta të zhvillimit energjetik, e pavendosur skajshmërisht nga autoritetet vendimmarrëse, i përqafoi lehtësisht rekomandimet e ndërkombëtarëve për të anashkaluar qymyrin, të cilin e ka në rezerva kolosale dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, në favor të energjisë solare dhe të asaj në bazë të erës, potencialet e të cilave Kosova, siç u pa në këto vite, i ka goxha të reduktuara.
Kosova, në dekadat e pasluftës, nuk investoi në kapacitete të reja prodhuese në bazë të qymyrit, por nuk bëri thuaja asgjë edhe në jetësimin e tranzicionit energjetik, që nënkuptonte ndërtimin e disa kapaciteteteve të energjisë solare dhe të asaj në bazë të erës.
Të ngjashme:
Pse Kosova duhet të rishikojë parashikimet zhvillimore të Strategjisë Energjetike 2022–2031?
Ndërkohë, kriza elektroenergjetike e 2022-tës e shpërfaqur brutalisht pas nisjes së luftës ruso-ukrainase, tregoi se shtetet e fuqishme edhe për nga potenca energjetike, kur është në pyetje interesi i vet, nuk e kanë për gjë, të shkelin parimet e projektuara në qindra e mijëra faqe të dokumenteve për të rikthyer legjitimitetin e përdorimit të burimeve fosile, dhe qymyrit në rend të parë.
Qymyri që në muajt e parë të 2022-tës praktikisht është legjitimuar të rikthehet sërish në përdorim të domosdoshëm, sidomos te vendet e kamura, me ekonomi dhe industri potente dhe me kapital të imponueshëm.
Te shtetet pra, të cilat nuk u ndalën së predikuari domosdonë e stopimit të qymyrit, si burim i prodhimit të energjisë elektrike. Kush kishte me thënë që pas gjithë këtyre dokumenteve anti-qymyr, rezolutave dhe traktateve kundër karbonit, do të ndodhë rikthimi i qymyrit te shtetet industrialisht të fuqishme dhe të veçuara si luftëtare të paepura kundër përdorimit të tij si burim energjetik.
Deri në shpërfaqjen e krizës së madhe energjetike të 2022-tës, as që i ka shkuar ndokujt ndër mend që kaq shpejtë dhe kaq lehtësisht do të mbylleshin sytë për t’u mos u parë pasojat e karbonit, për të cilat bota dhe shtetet e BE-së ‘ag e terr’ nuk pranin duke i alarmuar ato.
Sikur u harruan përnjëherë dëmet dhe pasojat nga karboni dhe nga ndotja e ambientit, të publikuara dhe të shprehura gjithandej, në medie, në konferenca, në forume ndërkombëtare, të elaboruara deri në detaje, me shifra, grafikone dhe dokumente obligative prej më të ndryshmeve, që sanksiononin deri në shpërfaqjen e krizës së rëndë energjetike përdorimin e thëngjillit si burim energjetik me shekuj, thuaja i pazëvendësueshëm në shumë vende.
Të fuqishmit i harruan afatet e përcaktuara për zëvendësimin e megavatëve të energjisë të prodhuar nga thëngjilli me megavatët e premtuar të energjisë së pastër – asaj të rinovueshme.
Po i kthehen, pra qymyrit.
Lufta ruso-ukrainase dhe kriza e shkaktuar nga reduktimi drastik i furnizimeve me gaz nga Rusia, e bëri sërish qymyrin në mënyrë të papritur shumë të kërkuar në Austri dhe Gjermani.
Për të shmangur mungesën e energjisë, centrali i Melak në jug të qytetit të Graz-it në Austri, në pranverën e 2022-tës nisi të përgatitet të prodhojë energji elektrike me qymyr. Hera e fundit që ky burim energjie u përdor në central, ishte në fund të marsit në vitin 2020.
Ministria austriake e Ambientit në një deklaratë për mediat kishte sqaruar me atë rast se centrali po rinovohet në mënyrë që të funksionojë sërish me qymyr, në rast se do të krijohet situatë emergjente për shkak të ndërprerjes së furnizimeve.
Edhe Ministria gjermane e Ekonomisë synon që centralet elektrike të funksionojnë sërish me qymyr, të paktën përkohësisht.
Nuk e fshehin fare tashmë këtë synim as Austria, as Gjermania, edhe pse një rikthim te qymyri ka shkaktuar zemërim tek ambientalistët në të dyja vendet, duke akuzuar qeveritë përkatëse se kanë braktisur objektivat për të ndaluar ngrohjen globale.
Berlini pranoi se rikthimi në përdorim i qymyrit është diçka e hidhur por shumë e domosdoshme në këtë situatë emergjence.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, investimet globale të energjisë do të rriten me më shumë se 8% në 2022 dhe do të arrijnë në 2.4 trilionë dollarë, me një rritje të dukshme për zinxhirët e furnizimit me qymyr, por do të kërkohen shumë më tepër ‘para’ nëse synimet e lidhura me klimën do të përmbushen.
Një numër i ekonomive të mëdha kanë formuluar plane për të reduktuar varësinë e tyre nga hidrokarburet ruse në muajt e fundit, dhe në këto plane gjithnjë e më shumë zë vend rikthimi i qymyrit.
Në Europë, flukset e reduktuara të gazit rus kanë shtyrë, pos Austrisë dhe Gjermanisë, edhe disa qeveri të konsiderojnë një rikthim në qymyrin.
Më konkretisht, Gjermania, Italia, Austria dhe Holanda kanë treguar se termocentralet me qymyr mund të përdoren për të kompensuar një ulje të furnizimit me gaz rus.
Holanda, këto ditë, madje tha se do të hiqte të gjitha kufizimet në termocentralet e ndezura nga karburantet fosile, të cilat më parë ishin të kufizuara në pak më shumë se një të tretën e prodhimit.
Ndërsa para dy-tre ditësh, po këto shtete të fuqishme dhe anti-resurseve fosile, pa ndonjë ngurrim të madh kërkojnë të rehabilitojnë edhe emetimet e metanit, një nga ndotësit më të dëmshëm, madje edhe përtej dioksidit të karbonit (metani është një gaz serrë shumë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit. Gjatë 20 viteve të para, një kilogram metan ngroh atmosferën rreth 80 herë më shumë se një kilogram CO₂.).
Njëmbëdhjetë shtete të Bashkimit Evropian po kërkojnë shtyrjen me të paktën tre vjet të zbatimit të disa dispozitave të Rregullores së BE-së për emetimet e metanit.
Kërkesa vjen në një kohë kur vendet evropiane shprehin shqetësime se rregullat e reja mund të cenojnë sigurinë energjetike të kontinentit dhe furnizimin me gaz natyror.
Nisma e ndikuar nga situata aktuale gjeopolitike – lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria në tregjet globale të energjisë – udhëhiqet nga Çekia dhe Sllovakia dhe mbështetet nga Rumania, Austria, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Italia, Lituania, Holanda, Polonia dhe Suedia.
Këto vende argumentojnë se objektivi për uljen e emetimeve të metanit mbetet i rëndësishëm, por afatet aktuale të zbatimit janë tepër të shpejta dhe mund të krijojnë pasoja të padëshiruara për furnizimin me energji.
Rregullorja e BE-së për metanin, e miratuar në vitin 2024, ka vendosur për herë të parë një kuadër të detyrueshëm për matjen e emetimeve të metanit; raportimin e tyre; verifikimin e të dhënave; monitorimin e emetimeve përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit me naftë, gaz dhe qymyr.
Nga 1 janari 2027, importuesit në BE do të duhet të sigurojnë që furnizuesit e tyre të respektojnë këto kërkesa ose standarde ekuivalente. Mosrespektimi mund të sillte sanksione.
Dhe, tani kërkohet shtyrja e zbatimit të kësaj rrregulloreje, sepse “nëse rregullorja zbatohet pa periudhë shtesë tranzitore, disa furnizues mund të heqin dorë nga tregu evropian; ngarkesat e gazit të lëngshëm (LNG) dhe naftës mund të orientohen drejt tregjeve të tjera; mund të kufizohet diversifikimi i furnizimit me energji; çmimet e energjisë për familjet dhe industrinë mund të rriten” etj.
Sipas shteteve përkatëse, kjo do të ishte veçanërisht problematike në një periudhë kur Evropa po përpiqet të zëvendësojë gazin rus me burime alternative.
Aktualisht, kjo çështje është duke u diskutuar nga ministrat e Energjisë të BE-së, ndërsa Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e një periudhe tranzitore për zbatimin e rregullores, ka raportuar economedia.ro.
Dhe kur të kihet parasysh ky rikthim i vëmendjes së shteteteve të pasura kah resurset që sigurojnë doemos stabilitet energjetik, ndoshta duhet të mendohet shumë seriozisht edhe në Kosovë për një rikthim të qymyrit të anashkaluar, si alternativë thuaja e pazevendësueshme ‘hë për hë’.
Ky është një momentum i ri, i cili asesi nuk do të duhej të lëshohet nga dora.
Në këto 2-3 dekada, Kosova ka lëshuar dhe u ka dhënë shqelmin disa momentumeve (dihen ato dhe janë të evidentuara momentumet e huqura nga autoritetet kompetente vendimmarrëse të Kosovës).
Me fjalë të tjera, në Kosovë, rikthimi i vëmendjes kah resurset të cilat me bollëk na i ka falë natyra, ka qymyri dhe rezervat marramendëse të këtij resursi që ka Kosova (rreth 12-13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara), tani kur mungesat e energjisë aktualisht janë të ndjeshme, dhe kur këto mungesa po na kërcënojnë akoma më shumë në vitet në vijim, është thuaja i domosdoshëm.
Lexo më shumë për rezervat e qymyrit:
Rezervat “inekzistente”, 12-13 miliardë tonelata të qymyrit në Kosovë









