Sociologu Besnik Pula, profesor në Virginia Tech në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, veçmas taksën doganore ndaj Serbisë.
Profesori Pula ka kritikuar qeverinë se me masa senzacionale, impulsive dhe pa strategji, po fokusohet në beteja afatshkurte, ndërsa Serbia po e fiton betejën afatgjate. Për më shumë, Kosova po i shpall luftë ekonomike Serbisë, dhe po hyn në luftë si në avanturë dhe krejt papërgatitur.
Në llogarinë private në Facebook, Profesori Pula ka shkruar:
“Në vitin 2017, Serbia ishte partneri kryesor importues i Kosovës, me pjesëmarrje në gati 15% të të gjitha importeve të Kosovës. Në këtë fushë Serbia prinë edhe para Gjermanisë, e cila eksporton në Kosovë plot 70 milionë euro më pak se Serbia. Ky rol i Serbisë ka shkuar vetëm duke u rritur. Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, vlera e importeve nga Serbia është rritur për 115%, ndërsa është dyfishuar gjithashtu bilansi negativ tregtar i Kosovës me Serbinë.
Masa senzacionale si taksa 100% nuk do të ndryshojnë këtë realitet. Lufta kundër Serbisë, si politike ashtu dhe ekonomike, nuk është lojë futbolli ku kënaqësh pasi ta shënosh një gol, por një maratonë. Serbia këtë e ka kuptuar, prandaj është në pozicionin ku është tash. Prandaj është më e fortë se ka qenë diplomatikisht, prandaj dominon ekonominë e Kosovës më fort se që e ka dominuar më parë. Kosova nuk e ka kuptuar këtë akoma, veprohet impulsivisht, pa strategji. Kosova i shpall luftë ekonomike Serbisë, në vend të mobilizimit, hyn në luftë si në avanturë dhe krejt papërgatitur.” /Buletini Ekonomik/