Qeveria Haradinaj synon privatizimin e shpejtë të Telekomit

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Falimentimin e Telekomit të Kosovës mund ta shpëtojë privatizimi, ky është edhe synimi i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Privatizimi i Telekomit parashihet të ndodhë deri në fund të mandatit të Qeverisë Haradinaj. Kompani ndërkombëtare tashmë kanë filluar të interesohen për gjendjen financiare të Telekomit, strukturën organizative dhe të kapitalit, asetet ekonomike dhe ato të pronësisë intelektuale. Megjithatë kjo ndërmarrje vazhdon të mos ketë drejtor, javë më parë Gent Begolli dha dorëheqje nga pozita e drejtorit.

Gazeta Express ka mësuar se së fundi kompania amerikane Artillery One ka shpreh interesim për Telekomin e Kosovës. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Procesi i privatizimit pritet të përfundojë gjatë mandatit të tij si ministër.

Reklama e sponzorizuar

“Ministri Lluka është duke punuar për realizimin e planit qeverisës të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021 për privatizimin e “Telekomi i Kosovës” Sh.A. deri në përfundim të mandatit 4 vjeçare”, tha Asllani.

Por, çfarëdo procesi i mundshëm në të cilin do të kalojë Telekomi prioritet do të jenë punëtorët, thanë nga zyra e ministrit Lluka, për Gazetën Express.

“Çfarëdo procesi privatizues i cili mund të ndodh gjatë mandatit të Ministri Lluka në rend të parë do të ketë interesin e punëtorëve dhe asnjë proces nuk do të ndërmerret pa shterur konsultimin social me të gjitha palët”, tha Shkumbin Asllani, këshilltar i Ministrit, Valdrin Lluka.

Asllani dha detaje se cilat janë kompanitë që po synojnë privatizimin e Telekomit. Kompanitë janë nga Franca, Çekia, Austria, Amerika etj.

“Që nga marrja e mandatit nga Ministri Lluka, kompani të njohura në fushën e telekomunikacionit si Orange (France), Rockaëay (Republikë Ceke), A1 (Austri) dhe se fundmi Artillery One (USA) kanë treguar interes me theks; për gjendjen financiare të Telekomi i Kosovës Sh.A., strukturën organizative dhe asaj të kapitalit, asetet ekonomike dhe ato të pronësisë intelektuale pronë e ndërmarrjes”, tha ai.

Por, sipas këshilltarit të tij, Lluka vlerëson se në këtë fazë është jetike për ndërmarrjen përfundimi i procesit të ristrukturimit dhe riorganizimit të brendshëm në bashkëpunim me Bankën Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim, hartimin e një plani dinamik zhvillimor me qëllim të ndaljes së humbjeve, si dhe njëkohësisht do të punohet për hapjen e privatizimit të pjesshëm të ndërmarrjes.

“Ministri Lluka në përputhje me funksionet dhe përgjegjësitë ligjore, është duke adresuar të gjitha problemet brenda “Telekomi i Kosovës” Sh.A. me qëllim të mirë-funksionimit të ndërmarrjes e që në këtë periudhe prioritare mbetet: a) përfundimi i shpejt i procesit të ri-organzimit dhe ri-pozicionimit të ndërmarrjes dhe b) ndalja e humbjeve financiare”, tha Asllani.

Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit kjo për shkak të borxheve të mëdha. Telekomi i ka borxh 32 milionë kompanisë private Z Mobile nga një vendim i Gjykatës së Arbitrazhit.