Qeveria synon t’ua ‘faturoj’ qytetarëve rritjen e skemave pensionale

Qeveria e Kosovës ka propozuar krijimin e një Fondi për Sigurimin Social, përmes të cilit do të paguhen pensionet për disa kategori sociale, ku përfshihen edhe shtesat për fëmijët. Sipas një dokumenti të brendshëm të Ministrisë së Punës, financimi i këtij fondi do të bëhet nga kontributet e punëdhënësve dhe punëtorëve kosovarë.

Shkruan: Agon Sinanaj

Miratimi i rezolutës në Kuvend për shtesat e fëmijëve dhe dhjetëra kategori tjera sociale që pritet të përfshihen në sistemin pensional, ka shtyrë Ministrinë e Punës të dalë me një propozim për krijimin e një Fondi të ri Pensional në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Në koncept-dokumentin e Ministrisë së Punës mbi reformën e sistemit pensional, i hartuar këtë muaj, kjo ministri ka propozuar krijimin e një Fondi të ri Pensional, i cili do të funksiononte krahas Trustit, shkruan Buletini Ekonomik.

Përmes këtij fondi, Qeveria po synon që pagesën e pensioneve për disa kategori sociale, t’ua ngarkojë në formë tatimi bizneseve dhe punëtorëve kosovarë, shkruan Buletini Ekonomik.

Sipas propozimit të kësaj ministrie, për ta financuar këtë fond, secili punëdhënës dhe punëtorë në Kosovë duhet të kontribuoj fillimisht me 1.5 për qind të te ardhurave bruto, por që mund të arrijë deri në 5 për qind.

Nga ky fond, i cili sipas kalkulimeve të ministrisë mund të vjelë prej 15 deri në 80 milionë euro në muaj, pritet të paguhen shtesat për fëmijët dhe disa kategori të reja sociale që pritet të përfshihen në sistemin pensional.

“Risi e këtij sistemi do të jetë dizajnimi i shtyllës së parë të sistemit pensional dhe invalidor, përkatësisht sistemit të sigurimeve sociale, sistem ky i bazuar në kontributet e punëdhënsëve dhe të punësuarëve, i cili do të jetë i ndarë nga shtylla zero apo skemat që financohen nga Buxheti i Shtetit”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Punës, i cili quhet “Koncept-dokumenti për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve”.

Fondi i ri pensional do të ketë në përgjegjësi menaxhimin e kontributeve të mbledhura për shtyllën e parë, përkatësisht pensionet e shtyllës së parë, sic janë pensioni i moshës, pensioni invalidor i punës, pensioni familjar, pensioni i parakohshëm, mbrojtja prindrore, mbrojtja nga papunësia dhe shtesat për fëmijët.

Ministria parasheh në detaje formën e financimit të Fondit

Sipas dokumentit të ministrisë, janë dy burime prej nga do të mbushet ky fond.

“Nga buxheti i shtetit për pagesat e pensioneve dhe kompenzimeve nga Shtylla Zero dhe Kontributet e paguara nga punëdhënësi me fillimisht 1.5% dhe i punësuari me 1.5% të ardhurave bruto të tij”, thuhet në dokument.

Mbledhja e kontributeve do të bëhet përmes Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa Fondi do të menaxhohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, shkruan Buletini Ekonomik.

“Me ligj do të përcaktohet se vlera e kontributeve të mbledhura nga punëdhënësit dhe të punësuarit, në asnjë rrethanë nuk mund të shpenzohet për qëllime tjera”, thuhet aty.

Megjithatë propozimi i Ministrisë së Punës i jep Fondit të ri kompetenca gati të ngjashme edhe me Trustin. Kjo në rast se kontributet e mbledhura teprojnë pas pagesave të shtyllës së parë, ku është i përfshirë pensioni i moshës, pensioni invalidor i punës, pensioni familjar, pensioni i parakohshëm, mbrojtja prinderore, mbrojtja nga papunësia dhe shtesat për fëmijët.

“Fondi i Sigurimeve Sociale do t’i menaxhojë ato përfshirë përmes investimeve në bonot qeveritare dhe investimeve konservative në tregjet financiare”.

Ndryshe, qëllimi kryesor i këtij dokumenti të Ministrisë së Punës është të trajtoj sistemin e sigurimit social në Kosovë, përkatësisht, sistemin pensional dhe atë të invaliditetit. Dokumenti sugjeron për ridizajnimin e sisitemit të sigurimit social, kryesisht shtyllën e parë të sistemit e cila është e bazuar në kontributet e punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke e ndarë atë nga shtylla zero ose skemat që financohen nga buxheti i shtetit.

Risia kryesore e kësaj nisme të Qeverisë është krijimi i Fondit për Sigurime Sociale me një shtyllë të re në vetvete, si një instrument përgjegjës për menaxhimin e kontributeve dhe pensioneve të shtyllës së parë, përkatësisht, pensionin e moshës, pensionin invalidor të punës, pensionin familjar, pensionin e parakohshëm, mbrojtjen prindërore, mbrojtjen nga papunësia dhe shtesat për fëmijë.

Kategoritë e reja sociale dhe rreziku nga trazirat

Buletini Ekonomik, duke iu referuar të njëjtit dokument, ka shkruar ditë më parë se kërkesat në rritje për përfshirje në sistemin pensional të kategorive të reja sociale dhe mundësitë e vogla buxhetore për ti mbuluar ato, mund ta çojnë vendin drejt trazirave sociale. Këtë pretendim Ministria e Punës e mbështet në mbi 20 kategori sociale sa marrin aktualisht pension nga buxheti i shtetit dhe dhjetëra kërkesa të reja për përfshirje në sistemin pensional.

Dokumenti i cili quhet “Rregullimi dhe Menaxhimi i Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve nga Sigurimi Social”, ka për qëllim reformimin e sistemit pensional në Kosovë, dhe ishte paralajmëruar ditë më parë edhe nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

“Vazhdimësia e këtij sistemi nuk lejon ngritjen e pensioneve pasi që miliona euro do të shkojnë në financimin e skemave të reja pensionale. Në një situatë të tillë polarizimet shoqërore do të jenë të pashmangshme dhe kjo situatë mund dhe do të dalë nga kontrolli ku do të kemi demostrata të grupeve të ndryshme për të perfituar skema të reja pensionale dhe të atyre të tanishmëve për t’i rritur pensionet”.

Në dokument thuhet se sistemi i tanishëm pensional lejon zgjerimin e skemave pensionale në mënyrë të pakontrolluar dhe është shumë e lehtë për tu keqpërdorur nga politika për qëllime elektorale duke favorizuar një grup të caktuar për të përfituar të drejtën në pension.

“Në rast të vazhdimit të gjendjes aktuale, problemet e diferencimit në mes të kategorive do të rriten, numri i ankesave do të vazhdojë të rritet, do të shtohet numri i skemave të reja.”

Për me tepër, dokumenti i Ministrisë së Punës tërheq vërejtjen se me implementimin e shumë skemave pensionale pa ndonjë kriter të mirëfilltë është “hapur rruga për kërkesa të reja për grupe të ndryshme të cilët bazuar në skemat e deritanishme mendojnë se i plotësojnë kushtet për të përfituar financiarisht”.

Ministria e Punës në dokument tregon për rrezikun që i kanoset buxhetit të shtetit për t’i akomoduar të gjitha këto kërkesa. Sipas saj, problem është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen financimi i të gjitha skemave aktuale, por sidomos skemave që priten të vijnë.

“Kur kemi parasysh që sot kemi mbi 22 skema pensonale, janë në pritje edhe disa projektligje si ligji per policinë, për arsimtarët dhe bazuar në këto kritere nuk duhet përjashtuar kërkest për pension të puntorëve shëndetësorë të viteve 90’, puntorëve të sportit të viteve 90’, puntorëve të tjerë të Republikës së Kosovës të viteve 90. Kështu, në periudhë afatshkurte dhe afatmesme do të shfaqen vështirësi financiare për t’i paguar të gjitha këto shpenzime pensionale”, thuhet aty. /Buletini Ekonomik/