Një hulumtim disamujor i Buletinit Ekonomik, i bazuar në analizën e rreth 400 ankandeve dhe dokumenteve të brendshme të KEK-ut, ngre dyshime serioze për kurdisje të ankandeve në favor të dy kompanive me rastin e shitjes së tepricave të energjisë elektrike nga kjo ndërmarrje.
Agon Sinanaj
Procesi i tregtimit të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dyshohet se fsheh prapa një skemë korruptive të tregtarëve të energjisë bashkë me zyrtarë në KEK, për të kontrolluar procesin e ankandeve me rastin e shitjes së tepricave të energjisë elektrike nga kjo ndërmarrje.
Ky dyshim bazohet në rreth 400 ankande që ka analizuar Buletini Ekonomik gjatë periudhës së hulumtimit, si dhe nga komunikime të brendshme ku dëshmohen ndërhyrjet në KEK nga tregtarët e energjisë.
Nga të dhënat e siguruara në KEK përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, del se gjatë vitit 2025, gati 90 për qind e ankandeve u përqendruan vetëm tek dy kompani, njëra me rreth 60 për qind të ankandeve të fituara, kurse tjetra me gati 30 për qind të tyre.
Sikurse në vitin 2024, edhe në vitin 2025, në ankandet e KEK-ut për shitjen e tepricave të energjisë elektrike dominon kompania “Noa Energy Trade”, e cila gjatë vitit 2025 ka blerë energji elektrike në KEK në vlerë prej 10.7 milionë euro.

Ndryshe nga kjo kompani që i dominon ankandet e KEK-ut nga viti 2022, një kompani tjetër nga Shqipëria me emrin “ETMT” është ‘përvjedhur’ fuqishëm në ankandet e KEK-ut gjatë vitit 2025. Kjo kompani zotëroi gati 30 për qind të ankandeve për vitin 2025, apo bleu energji elektrike nga KEK prej 4.4 milionë euro.

Nëse shikohen të dhënat e përgjithshme, procesi i ankandeve duket krejt në rregull, mirëpo analiza e qindra ankandeve dhe sjelljes së kompanive pjesëmarrëse në këto ankande, zbardh një realitet krejt tjetër. Përqendrimi kaq i lartë i ankandeve të KEK-ut në vetëm dy kompani dyshohet se fsheh prapa një skemë të mirëmenduar të tregtarëve të energjisë përmes ndërhyrjeve në KEK, për të kontrolluar procesin e ankandeve.
Përqendrim i lartë i ankandeve te dy kompani
KEK-u, pjesën më të madhe të energjisë elektrike që e prodhon është e obliguar t’ia shesë KESCO-s, për ta mbuluar konsumin vendor, mirëpo kur ka teprica të energjisë elektrike, që shfaqen zakonisht natën kur bie konsumi, fillimisht duhet t’i drejtohet ALPEX-it, bursës shqiptare, e nëse dështon për ta shitur energjinë në ALPEX, atëherë zhvillon ankande me tregtarë të energjisë.
Procedura e ankandeve parashihet me rregulloren e KOSTT-it “Procedura për Tregtimin e Energjisë Elektrike”, e cila rregullon shitblerjen e energjisë elektrike nga kompanitë e licencuara në Kosovë për tregtim me energji elektrike.
Në nenin 10, pika 1, të kësaj rregullore thuhet decidivisht: “Blerësi/Shitësi duhet të jetë neutral ndaj të gjithë tregtarëve”.
Mirëpo, kjo rregullore duket se nuk është respektuar në rastin e ankandeve të KEK-ut, nëse analizohen sjelljet e pjesëmarrësve në këto ankande, sipas secilës ditë të vitit 2025.
LEXO EDHE:
Si iu mundësua tregtarëve të energjisë “biznesi” me ankande në SEECAO me “izën” e ZRrE-së e KESCO-s
Buletini Ekonomik ka analizuar rreth 400 ankande që mbulojnë një periudhë dy vjeçare (2024-2025). Analiza e ankandeve të brendshme tregon një përqendrim të theksuar të tregut te vetëm dy operatorë ekonomikë.
Nga të dhënat e siguruara përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, shihet se NOA Energy Trade Sh.p.k. ka përfituar energji në vlerë prej 10,734,621.07 euro, që përbën 58.54% të totalit të ankandeve, ndërsa ETMT Energy Sh.p.k. ka përfituar 4,485,275.45 euro, ose 24.46% të vlerës së përgjithshme.
Së bashku, këto dy kompani kontrollojnë rreth 83% të vlerës totale të energjisë së tregtuar përmes ankandeve, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë mes operatorëve të tjerë. Në këto ankande, oferton vazhdimisht edhe “GEN-i” i Sllovenisë dhe kompania daneze “Danske”, por të dyja kanë përqindje shumë të ulët të ankandeve të fituara krahasuar me dy kompanitë tjera Noa Energy Trade dhe ETMT Energy.
E dyshimtë koha e dorëzimit të ofertave nga NOA dhe ETMT
Nga mbi 200 ankande të analizuara për vitin 2025, mbi 90 për qind të ankandeve u fituan nga Noa Energy Trade dhe ETMT Energy. Përveç përqendrimit të lartë të ankandeve te dy kompani, e dyshimtë është edhe koha e dorëzimit të ofertave.
Analiza e ankandeve tregon një model të përsëritur në mënyrën e dorëzimit të ofertave. Në rastet e analizuara, ofertat e NOA Energy Trade dhe ETMT Energy regjistrohen rregullisht në minutat e fundit të afatit përmbyllës të ankandeve, shpesh në të njëjtin minutë, menjëherë para mbylljes së procesit.
Ta zëmë, gati në të gjitha rastet kur kompania Noa Energy Trade doli fituese e ankandeve, kjo kompani kishte ofertuar gjithmonë e fundit. Kjo sjellje e dyshimtë përsëritet gjatë gjithë vitit 2025. Po ashtu, gati në të gjitha rastet kur Noa Energy Trade ofertoi e fundit, kishte ofruar gjithmonë çmim më të shtrenjtë se operatorët tjerë, duke dalë fituese e ankandeve. Në shumicën e rasteve, çmimi fitues për megavat-orë i ofruar nga Noa Energy Trade është me një dallim minimal me çmimin e ofruar nga operatoret tjerë, pjesëmarrës në garë.

Një tjetër element që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme është koha e njëjtë e dorëzimit të ofertave nga Noa Energy Trade dhe ETMT duke ngritur dyshime për bashkëpunim mes këtyre dy kompanive. Nga të dhënat rezulton se NOA Energy Trade dhe ETMT Energy i dorëzojnë ofertat pothuajse rregullisht në minutat e fundit të afatit, shumë shpesh në të njëjtën minutë, zakonisht në 09:16 ose 18:16, ndërsa operatorë të tjerë, si GEN-i ose Danske Commodities, ofertojnë një ose disa minuta më herët. Gati në të gjitha rastet kur këto dy kompani kanë ofertuar në të njëjtën minutë, fituese ka dalë ose njëra ose tjetra.












