Vendosja e taksës për prodhimet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina prej 10 për qind, po konsiderohet si e nevojshme për shkak të shkëmbimeve tregtare mesë këtyre vendeve që kanë dallime të mëdha.
Kosova nga Serbia brenda një viti së paku zyrtarisht importon mallra në vlerë prej 400 milionë eurove, deri sa eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në serbi.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Telegrafin se importi i mallrave të Serbisë në Kosovës me ekspertet e vendit tonë atje kanë dallime të mëdha.
Sipas tij, Kosova kryesisht në Serbi eksporton mallra ndërtimore.
“Duhet ta kemi parasysh se ka volum të madh të importit nga Serbia, pasi brenda një viti importojmë rreth 400 milionë euro vlerë të produkteve. Ndërsa eksportojmë mallra në vlerë prej vetëm 40 milionë euro brenda një viti”, tha ai.
E importet e Kosovës nga Bosnja e Hercegovina janë shumë më të pakta sesa ato të Serbisë, por që dallojnë shumë me eksportet e vendit tonë atje.
“Nga Bosnja e Hercegovina kemi importe të mallrave në vlerë prej rreth 80 milionë euro brenda një viti, derisa eksportojmë mallra në vlerë prej vetëm rreth 8 milionë eurove ”, tha zëdhënësi Adriatik Stavileci për Telegrafin.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha se Kosova pa vështirësi të mëdha mund t’i zëvendësojë produktet e Serbisë, qoftë nga prodhimi vendor ose me produkte nga vendet e rajoni me të cilat ka raporte të mira.
“Zëvendësimi i produkteve nga Serbia në vendit tonë është lehtë i realizueshëm, kur kihet parasysh se Kosova mund të importojë nga të gjitha vendet e tjera të regjionit, apo të Bashkimit Evropiane, produkte që deri më tani janë importuar nga Serbia, por mbi të gjitha ato produkte mund të zëvendësohen edhe me produkt vendor”, tha Shahini.
Sipas tij, Serbia nuk ka as një produkt i cili nuk mund t’i zëvendësohet.
“Mbetet ngritja e ndjenjave të nacionalizmit ekonomik për të rritur konsumin e produkteve vendore. Po ashtu duhet t’i thuhet stop konsumimit të produkteve të një vendi siç është Serbia e cila nuk ka kërkuar falje për dëmet që i ka shkaktuar”, tha Shahini.
Kryetari i AKB-së, ka thënë se përveç raporteve zyrtare për importet nga Serbia një pjesë e tyre futen edhe ilegalisht.
“Raporti mes eksporti dhe importit me Serbinë është 90 me 10 në favor të Serbisë. Nga atje importojmë mbi 400 milionë euro mallra dhe mbi 30 për qind e mallrave futen ilegalisht, deri sa eksportojmë me vështirësi 40 milionë euro mallra”, tha Shahini.