Taksa: Rritet edhe çmimi i miellit në Kosovë

Fotografi ilustruese

Kompanitë e përpunimit të produkteve të drithërave e pranojnë se kanë rritur çmimin e miellit, por thonë se ky çmim është rritur pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 10 për qind ndaj produkteve serbe rreth dy javë më parë.

Januz Rrahmani, pronar i kompanisë së përpunimit të drithërave “Alia Commerce”, thotë se çmimi i miellit është rritur për disa faktorë.

“I kemi disa rezerve të miellit, këso të popullit, por tash nuk e dimë se çfarë po bëhet. Kam dëgju se [disa firma, v.j] janë duke e shitur kah 36, 37 cent me taksën e 10 për qindëshit”, ka thënë Rrahmani në një bisedë telefonike me Insajderin.

Reklama e sponzorizuar

Pronari i kompanisë me bazë në Komunën e Lipjanit ka thënë se çmimi i miellit, i cili siç thotë ai, para vendosjes së taksës për 10 për qind ka qenë rreth 26 cent, tash “ka shkuar diku 33,34 cent”. Madje, ai thotë se disa kompani në Kosovë janë duke e shitur miellin për 36 apo 37 cent.

“Sa ka qenë me 10 për qindëshin e kemi shitur nga 30 deri në 32 cent miellin. Por ka të tjerë që janë duke e shitur nga 36 deri në 37 cent. Janë duke e shfrytëzuar këtë moment. Para se me u vendos taksa prej 10 për qind dhe 100 për qind ndaj Serbisë, çmimi ka qenë 26,27 cent”, ka deklaruar Januz Rrahmani.

Edhe Sejdullah Rama, pronar i kompanisë Rera Commerce, e pranon se çmimi i miellit në Kosovë është rritur. Rama thotë se çmimi nuk është rritur pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, por në kohën kur taksa ndaj produkteve serbe kishte qenë 10 për qind.

Ai thotë se çmimi është rritur për rreth 10 për qind.

“Na me këtë taksën prej 100 për qindësh nuk kemi ndryshuar asgjë, por atëherë me taksën prej 10 për qindësh. Tash për tash çmimi është rritur diku 10%, jo më shumë. Më heret ka qenë diku 32 cent, pastaj është bërë 34,35 cent”, ka thënë Sjedullah Rama për Insajderin.

“Ne kemi pak vështirësi, sepse nëse ndodh që ne e shesim lirë miellin e pastaj ngritet çmimi, normal atëherë neve na kushton. Tash, pothuajse të gjitha kompanitë janë grumbulluese të grurit. Por tash jemi në panik nëse do të bëhet ndonjë ndryshim i madh në çmim”, ka deklaruar ai.

Pronari i kompanisë “Rera Commerce” ka thënë se “siç kam informata për çmimet, tash që kanë filluar me marrë prej Maqedonisë, çmimi prapë do të jetë 32 apo 33 cent”.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i shoqatës së përpunuesve të grurit, Muhamet Ferizi, ka thënë se nuk është në dijeni dhe se nuk flet lidhur me çmimin e miellit.

“E di që kompanitë për shitjen e miellit kanë pasur vështirësi, sepse kanë pasur konkurrencë të madhe prej Serbisë. Ndër faktorët që ka ndikuar në ditët e fundit, është edhe ngritja e çmimit të grurit në berzë. Por, unë nuk mund të them diçka për çmim, sepse nuk e di se si është çmimi. Jam i vetëdijshëm që secila kompani ka çmimin e saj”, ka deklaruar ai.