Thaçi: KEK-u është prodhuesi kryesor i energjisë, jo ndotësi kryesor

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, tha se KEK është njëri prej ndotëseve në Kosovë, por jo njëri ndër ndotësit kryesor në Kosovë.

“Ne kemi investuar mbi 57 milionë euro në ambient, ne kemi vendosur filtra në “Kosovën A”. Nuk është e vërtetë se ka ndalje të filtrave në termocentralet e Kosovës”, i tha RTK-së Thaçi.

Sipas tij pajisjet e termocentraleve të Kosovës janë të vjetra. Ai bëri me dije se nuk janë të vërteta pohimet se hiri ndot ambientin. “Para gjashtë viteve hiri është bartur me shirita dhe nga era ka pasur shpërndarje të hirit, por tani hiri bartet me gypa”, deklaroi ai.

Reklama e sponzorizuar

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, ka folur edhe për sezonin dimëror. “Ne kemi licencë vetëm për të prodhuar energji dhe jo për të shpërndarë energji. Sa i përket KEK-ut, nuk do të ketë asnjë problem për të prodhuar energji. I kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe i kemi kryer remontet. Ne do të prodhojmë me të gjitha kapacitete të plota. Do të kalojmë dimrin pa ndonjë telashe”, pohoi ai .

Për bashkëpunimin me KEDS-in, Thaçi bëri me dije se veprojnë në bazë të ligjeve dhe licencës. Ai ka shpjeguar edhe procedurat e furnizimit dhe ndarjes së përgjegjësive për energji.

Për rezervat e thëngjillit, Thaçi tha se nuk kanë asnjë problem. “Vitin e kaluar kemi pasur problem, por tani i kemi kryer të gjitha procedurat me fshatin Shipitullë dhe i kemi kryer të gjitha obligimet ndaj banorëve”, tha ai.

Kurse për pajisjet, Thaçi tha se ato janë të vjetra. “Në pesëvjeçarin e ardhshëm, do të hapim minierën e re. Aty parashihet të investohet në pajisje të reja. Do të kushtojnë shumë, por do të jenë të reja”, tha ai.