Thaçi shprehet kundër taksës ndaj produkteve serbe

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk i ka dhënë mbështetje vendimit të Qeverisë për vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Përkundrazi, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Thaçi lidhur me taksën ka thënë se “raportet Kosovë – Serbi vazhdimisht kanë qenë të komplikuara, herë herë edhe të tensionuara”.

Sipas tij, i tillë ka qenë edhe veprimi me taksën.

Reklama e sponzorizuar

“Prandaj, unë besoj që në një dialog të brendshëm, por edhe në rrafshin ndërkombëtarë, do të gjejmë mundësinë e tejkalimit të kësaj situate të një koordinimi të mirë edhe më SHBA-të por edhe BE-në. Unë sot kam pasur biseda edhe me përfaqësuesit e BE-së, gjithashtu edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të NATO-s. Udhëtimi ynë është i sigurt drejt perspektivës euro – atlantike. Angazhimet tona do të jenë tejkaluese në rrafshin e problematikave lokale në qëllimin madhor për koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, është shprehur ai.