Veseli ende pa qenë kryeministër, premton investime e poste në shëndetësi

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar sot përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve të Kosovës.

Ai ka thënë se shembulli i ministrit Uran Ismaili, i cili duke e luftuar korrupsionin në shëndetësi ia ka shpëtuar buxhetit të shtetit 6 milionë euro, do të jetë shembulli i luftës së tij kundër korrupsionit si kryeministër i ardhshëm.

“Kështu ndodh kur vendosim njerëz të rinj në pozita udhëheqëse dhe u japim mundësi”, ka thënë Veseli.

Reklama e sponzorizuar

Kreu i PDK-së ka shtuar se kjo është zgjedhja që duhet ta bëjnë qytetarët e Kosovës: t’i investojnë miliona euro në korrupsion apo miliona euro në investime konkrete, transmeton RTK.

Postimi i plotë i Veselit:

Me vendime të guximshme, ministri Uran Ismaili ka arritur të bëjë atë që nuk e ka bërë askush për dy dekada në shëndetësi.

Kështu ndodh kur vendosim njerëz të rinj në pozita udhëheqëse dhe u japim mundësi.

Në takim me përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve të Kosovës theksova se shembulli i shëndetësisë, që për herë të parë udhëhiqet nga PDK—ja, me mua si kryeministër do të jetë modeli i luftës sonë kundër korrupsionit.

Me gjashtë milionë euro të shpëtuara duke luftuar korrupsionin në shëndetësi, ne tani çdo vit mund të investojmë më shumë dhe të ndërtojmë spitale të reja, të blejmë aparaturë të re dhe barna shumë më cilësore.

Kjo është zgjedhja që duhet ta bëjnë qytetarët e Kosovës: t’i investojnë miliona euro në korrupsion apo miliona euro në investime konkrete.

Duke bërë zgjedhjen e duhur, ne mund ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë në vendin tonë!”.