Antikorrupsioni e çon në gjykatë Memli Krasniqin për konflikt interesi

Agjencia Kundër Korrupsionit e ka çuar në gjykatë rastin e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqit, i cili nuk po i bindet një vendimi të kësaj agjencie për konflikt interesi. Krasniqi përveç deputet i Kuvendit, është edhe Nën-President i parë i Komitetit Olimpik të Kosovës. Nga kjo Agjenci i kanë thënë Buletinit që lënda tashme i ka shkuar edhe Gjykatës Themelore.

Shkruan: Agon Sinanaj

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, do të përballet me gjykatën për shkak të konfliktit të interesit dhe mosbindjes ndaj Agjencisë Kundër Korrupsionit. Kjo e fundit kishte nxjerrë një vendim për Krasniqin ku konstatoi konflikt interesi, për shkak të mbajtjes së dy pozitave publike.

Reklama e sponzorizuar

Krasniqi përveç si deputet i Kuvendit të Kosovës është njëkohësisht edhe Nën-President në Komitetin Olimpik të Kosovës. Por pozitën në Komitet, ai është duke e mbajtur përkundër faktit se AKK ia kishte tërhequr vërejtjen se kjo përbën shkelje të Ligjit për Konflikt Interesi.

Mirëpo pasi Agjencia Kundër Korrupsionit fillimisht i kërkoi marrjen e masave kreut të Kuvendit Kadri Veselit, tash ka marrë edhe hapin e dytë, duke e dërguar këtë lëndë edhe në gjykatë.

“Agjencia Kundër Korupsionit sipas kompetencave ligjore lidhur me këtë rast e ka kryer obligimin e saj, është nxjerrë vendimi për konstatim të konfliktit të interesit, është informuar Kuvendi i Kosovës (respektivisht Kryetari i Kuvendit) dhe po ashtu rasti është përcjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkatësisht tek Divizioni për Kundërvajtje”, kanë thënë në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nga kjo agjenci.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Krasniqin lidhur me arsyet që e kanë shtyrë të mos i bindet Agjencisë Kundër Korrupsionit. Pasi ka kërkuar që pyetjet t’i drejtohen me shkrim, nuk ka kthyer përgjigje.

Vendimi për konflikt interesi

Në një vendim të kësaj Agjencie, të datës 15 gusht, një kopje të te cilit e ka siguruar Buletini, kjo Agjenci tregon se si zyrtarët e saj disa herë ishin takuar me Krasniqin për t’ia shpjeguar rastin. Ata i kishin kërkuar që të tërhiqet nga pozita në Komitet.

Mirëpo deputeti nga radhët e PDK-së, para zyrtarëve të Agjencisë kishte mohuar se mbajtja e këtyre dy pozitave është në konflikt interesi.

“Nga zyrtari i lartë z. Memli Krasniqi është kërkuar të heq dorë nga njëri funksion brenda afatit ligjor, përndryshe Agjencia është e obliguar të veproj konform Ligjit nr.06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Pas kësaj, me kërkesë të z. Memli Krasniqi janë organizuar disa takime për të diskutuar lidhur me rastin. Gjatë këtyre takimeve zyrtari i lartë nuk e ka pranuar konstatimin e Agjencisë për gjendjen e konfliktit të interesit”, thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Veç kësaj, përkundër afateve ligjore të dhëna nga Agjencia, Krasniqi nuk ka ndërmarrë veprime me qëllim të evitimit të gjendjes së konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Gjetjet e Agjencisë dhe shkelja e Ligjit

Në vendimin e saj, Agjencia Kundër Korrupsionit tregon se i ka dërguar shkresë paralajmëruese Krasniqit, me të cilën është konstatuar se ushtrimi i funksionit si deputet dhe njëkohësisht Nën-President i parë i Komitetit Olimpik të Kosovës është në kundërshtim me Ligjin.

Saktësisht me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Në nenin 14 të këtij ligji thuhet se “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera lidhur me to”.

“Nga kjo del se, zyrtari i lartë z.Memli Krasniqi mund të jetë vetëm anëtar i organit drejtues në Komitetin Olimpik të Kosovës, duke përjashtuar funksionin që ushtron aktualisht në Bordin Ekzekutiv si Nën-President i Parë”, konstaton AKK.

Për shkak të mos heqjes dorë nga kjo pozitë, AKK thotë se e ka njoftuar për këtë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin në mënyrë që të merren masa ndaj deputetit Krasniqi si dhe ka njoftuar se rasti shumë shpejt do të përfundoj edhe në gjykatë.

“Agjencia do të kërkoj fillimin e procedurës për kundërvajtje nga Gjykata kompetente”, thuhet në vendim.

Proceduralisht kjo bëhet me iniciativën e kreut të Kuvendit të Kosovës, në këtë rast Kadri Veselit.

“Bazuar në nenin 22, paragrafi 10, të Ligjit (Nr.06/L-011), kur deputeti i Kuvendit ushtron aktivitet të papajtueshëm me këtë ligj, Agjencia e njofton Kryetarin e Kuvendit, dhe kërkon fillimin e procedurave ligjore ndaj tij”, thuhet në vendimin e AKK-së. /Buletini Ekonomik/