Kosova që nga paslufta po përballet me furnizim të pamjaftueshëm me energji elektrike, kjo situatë vazhdon edhe sot. Mungesa e furnizimit me energji elektrike më së shumti ka dëmtuar bizneset prodhuese në vend. Kjo pasi si pasojë e mungesës së rrymës ato kanë humbur qindra miliona euro si rezultat i rritjes së kostos së prodhimit
Bizneset thonë se humbjet që i ka shkaktuar kjo situatë është e barabartë me ndërtimin e një fabrike të re. Për këtë, ata kërkojnë nga institucionet përkatëse hetimin e kompanisë “KEDS”, e cila është përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike të vendit.
Pronari i kompanisë prodhuese “MEKA”, Burim Piraj ka thënë se humbjet që u janë shkaktuar kompanive si pasojë e mungesës së rrymës janë të barabarta me 50 mijë vende të reja pune. Për këtë ai kërkon hetimin e komanisë për furnizim me energji elektrike “KEDS”.
“Energjia elektrike sipas një raporti i ka dëmtuar bizneset në Kosovë mbi një miliardë euro, kjo nëse për një vend pune llogarisim se duhen njëzetmijë euro, i bie që për mbi 50 mijë vende të punës e ka dëmtuar vendin dhe çka është më e keqja vazhdon ta dëmtojë. Mendoj se ka hapësirë për hetime të mirëfillta ndaj korporatës KEDS dhe aty i kemi dy opsione: Opsioni i parë do të ishte një dënim meritor e që vështirë që mundet KEDS ta përballoj sepse dëmi i shkaktuar kap shifer të madhe që u cekë më lartë dhe Opsioni i dytë t’i merret licenca e dhënë për të në privatizimin e distribuimit dhe të ri tenderohet në bazë të ligjeve në fuqi, në asnjë mënyrë të mos bëhen shkelje ligjore po të shkoj e tëra në përputhje të plotë me ligjin”, tha ai.
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë,”FRUTEX” thotë se humbjet që i ka shkaktuar mungesa me energji elektrike kompanisë së tij, janë të barabarta me ndërtimin e një fabrike të re.
“Vazhdimin i problemit me mos-furnizim me energji elektrike ka kalu në një sëmundje kronike për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Humbjet në kompaninë tonë si pasojë e ndërprerjeve të energjisë dhe mungesës së saj janë të larta. Jam i sigurt që vlera e dëmit dhe rritjes së kostos se prodhimit nga përdorimi dhe blerja e gjeneratorëve pas lufte, është e barabartë me ndërtim të një fabrike të re”, tha ai.
Sipas një studimi të kryer më herët, sektori privat që nga paslufta ka shpenzuar 58 milionë euro vetëm për blerje të Gjeneratorëve./EkonomiaSot