Efektet e para të taksës, rritet konsumimi i produkteve vendore

Taksa prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina ka bërë që të rritet konsumimi i produkteve vendore, thonë përfaqësues të bizneseve.

Aleanca Kosovare e Biznesit ka bërë një hulumtim lidhur me ndikimin e taksës 100 për qind në ekonominë kosovare nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor 2018. Në këtë hulumtim, AKB thuhet të ketë anketuar 300 kompani të zgjedhura në industrinë ushqimore, tregtare, shërbyese dhe të ndërtimtarisë me 250 konsumatorë të Kosovës.

Lumnije Ajdini, menaxhere e përgjithshme e AKB-së, bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në bazë të hulumtimit del se te bizneset kosovare, masa prej 100 për qind, ka dhënë efekte pozitive për prodhimin vendor.

Reklama e sponzorizuar

Prodhimtaria vendore, shton Ajdini, përgjatë kësaj periudhe kohore ka shënuar rritje për 25 për qind.

“Bizneset tregojnë se është rritur shitja e produkteve të tyre përgjatë kësaj periudhe që nga vendosja e taksës 100 për qind, në industrinë ndërtimore 40 për qind, në atë ushqimore 25 për qind, transport 20 për qind, tregti dhe shërbime 5 për qind dhe të tjera 10 për qind, për shkak se prodhuesit e Kosovës kanë rritur kapacitete prodhuese është rritur edhe punësimi”, thotë Ajdini.

Tregtia vazhdon të mbetet aktiviteti ekonomik më i preferuar në Kosovë, duke lënë anash prodhimin. Prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale, për të fuqizuar sektorin e prodhimit.

Për rritje të kapaciteteve prodhuese vendore, Ajdini thotë t’i kenë rekomanduar kompanive prodhuese që të rrisin cilësinë e produkteve si dhe i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës të subvencionojë bizneset prodhuese, në mënyrë që këto të fundit të fuqizohen.

“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës të heqë taksat për grurë, misër, miell, vaj, detergjent dhe në produktet tjera esenciale që ndikojnë në shportën e konsumatorit. Të mbështetet promovimi i biznesit vendor më shumë. Po ashtu, për të parandaluar kontrabandën, kërkojmë nga institucionet që në pikë 1 dhe 31 dhe në brezin kufitar me Serbinë të shtojë numrin e pjesëtarëve të doganave dhe të policisë”, thotë Ajdini.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pati kërkuar nga prodhuesit që të fokusohen në ngritjen e cilësisë.

Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar.

Për shkak të industrisë së dobët të prodhimit në Kosovë, eksporti i produkteve “Made in Kosova” në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, kap vlerën e mbi 300 milionë eurove në vit, kurse importi i produkteve të huaja në vend arrin rreth 3 miliardë euro në vit.