Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur në një konferencë për mediat pas takimit me komisionarin e BE-së për Zgjerim, Johannës Hahn.
Haradinaj konfirmoi para medieve se Hahn i ka kërkuar atij që ta heq taksën e vënë ndaj Serbisë, por edhe ndaj kësaj kërkese Haradinaj ka mbetur i palëkundur.
Haradinaj tha se Hahnit i ka thënë : “Ky vendim mund të anulohet me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia”.
“Ne duhet të punojmë që tani që ta arrijmë një marrëveshje gjithpërfshirëse, në shumë tema, si borxhet, të zhdukurit, e njëri nga to do të jetë edhe tregtia e lirë”, tha Haradinaj, raporton Periskopi.
Haradinaj tha se Hahn kërkonte një zgjidhje për gjendjen e krijuar me taksën.
“I dhashë shpjegime. I thashë që duhet arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse”, tha ai.
Ndërsa, kryeministri tha se Kosova mban ende shpresa për vizat, megjithëse BE-ja është shumë skeptike dhe nuk ka garanca të fuqishme se çështja do të jetë në agjendën e Këshillit të Ministrave.
“Ne ende mbajmë shpresë që të hyjmë në agjendën e Këshillit të MInistrave. Sidoqoftë BE-ja është shumë skeptike. Nuk ka garancë e fuqishme që do të ndodh tani”, tha Haradinaj.