Japonia i lehtëson procedurat për punëtorët e huaj

Kuvendi i Japonisë e ka miratuar një ligj të ri, sipas të cilit do t’iu lejohet puna në Japoni mijëra punëtorëve të huaj, për shkak se vendi po përballet me mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë të caktuar. Nga prilli i vitit të ardhshëm, punëtorët e huaj mund të punësohen në sektorët e ndërtimtarisë, bujqësisë dhe kujdesit për të moshuarit.

Japonia tradicionalisht ka ngurruar të pranojë shumë të huaj në vend, por qeveria thotë se ka nevojë për punëtorë të jashtëm për shkak të mplakjes së popullsisë vendore. Në anën tjetër, partitë opozitare kanë thënë se punëtoërt e huaj do të rrezikohen nga shfrytëzimi i padrejtë. Sipas ligjit të ri, më shumë se 300 mijë punëtorë të huaj mund të lejohen të punojnë në sektorët ku ka mungesë të fuqisë punëtore.

Ligji i krijon dy kategori të vizave. Punëtorët e kategorisë së parë, të cilët kanë njohuri elementare të gjuhës japane dhe kanë shkathtësi mesatare, do të kenë të drejtë pune për pesë vjet. Punëtorët e kategorisë së dytë, të cilët kanë kualifikime më të larta, do të kenë të drejtë të aplikojnë edhe për banim të përhershëm. Vërejtja e opozitës është se këta punëtorë do të paguhen me paga më të ulëta nga kompanitë dhe do të shfrytëzohen në mënyra të ndryshme.

Reklama e sponzorizuar

Bizneset japoneze për një kohë të gjatë kanë kërkuar që të ndryshohen politikat e rekrutimit të punëtorëve të huaj. Sidoqoftë, kryeministri Shinzo Abe ka deklaruar se Japonia do t’i pranojë vetëm punëtorët që janë të shkathtë dhe që janë të gatshëm të punojnë në sektorët ku ka mungesa, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.