Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar sot se ka miratuar Udhëzimin e ri Metodologjik për Raportimin e të dhënave në Sistemin e Regjistrit të Kredive të Kosovës (RKK).
Ky Udhëzim ka për qëllim të avancojë mënyrën e raportimit të të dhënave në RKK nga ana e institucioneve kredidhënëse, të cilat të raportohen sipas formatit të specifikuar nga BQK.
Nga BQK thonë se me implementimin e Udhëzuesit të ri do të sigurohen të dhëna më të detajuara lidhur me aftësinë paguese të huamarrësve, ngarkesën me borxh, kostot e kredisë, klasifikimin e kredive, qëllimin e shfrytëzimit të kredive, vlerën e kolateralit, gjininë e huamarrësve, aplikimet e refuzuara dhe ato në proces, si dhe përditësimin e të dhënave kyçe të huamarrësve nga bankat dhe institucionet tjera kredidhënëse në RKK.
Udhëzuesi thuhet se do t’i shërbejë gjithashtu edhe BQK-së gjatë hartimit të politikave ndaj sektorit financiar, avancimin e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna si dhe njëkohësisht t’i ndihmojë institucionet financiare kredidhënëse për marrjen e vendimeve të mirë informuara gjatë procesit të lejimit të kredive si dhe për menaxhimin e rrezikut kreditor, që i kontribuon zhvillimit të sektorit si dhe stabilitetit financiar njëkohësisht.
“Avancimi i këtij Udhëzuesi është bërë në konsultim me institucionet financiare zbatuese, duke i paraprirë një procesi të ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe teknike për zbatim të këtij Udhëzuesi, ndërsa ka pasur ndihmën e ekspertizës së Korporatës Financiare Ndërkombëtare me të cilën BQK-ja është duke bashkëpunuar me projektin për Shërbimet Financiare Digjitale”, thuhet tutje në komunikatën për media nga BQK. /Buletini Ekonomik/
Lajmi i plotë: https://shorturl.at/SooVw