Kosova në kërkim të tregjeve të reja për të zëvendësuar prodhimet nga Serbia

Bizneset prodhuese dhe tregtare në Kosovë thonë të kenë filluar që të gjejnë alternativa për zëvendësimin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina pas vendosjes së tarifës doganore.

Vendet si Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Kroacia, Turqia dhe Italia janë disa nga shtetet të cilat, sipas bizneseve, po shikohen si opsione për të zëvendësuar produktet finale si dhe lëndën e parë për prodhim që më herët janë importuar nga Serbia.

Qeveria e Kosovës më 21 nëntor vendosi që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë.

Reklama e sponzorizuar

Mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që të hiqet taksa, duke e konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë nga bizneset prodhuese tanimë janë duke punuar në gjetjen e furnitorëve në vendet tjera për të zëvendësuar lëndën e parë të cilën e kishin importuar nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.