Lajm i mirë nga KEK-u, rikthehet në punë blloku B1

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se ka rikthyer në prodhim bllokun B1, të Termocentralit “Kosova B”. Sipas drejtuesve të kësaj korporate remonti ka qenë kompleks. Prodhimi vendor nga termocentralet e KEK-ut, sot është rreth 800 megavat orë energji elektrike.

Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi ka thënë se e kanë përfunduar me sukses një proces shumë sfidues dhe kompleks të riparimit të turbinave dhe gjeneratorit në bllokun “B1” Termocentralit “Kosova B”.

Reklama e sponzorizuar

“Gjatë dy ditëve të fundit janë kryer me sukses të gjitha testet e komisionit në sistemin e Turbinave dhe Gjeneratorit. Kurse dje është bërë ndezja e sistemit te kaldajës, proces ky i cili pastaj ka vazhduar me komisionimin e nxehte në sistemin e turbinave, gjeneratorit G1 dhe pas testimit të suksesshëm, pas mesnatës të datës 12.12.2018 është bërë sinkronizimi i “Njësisë B1” në sistem”, theksoi ai.

Sipas Thaçit, falë angazhimit maksimal të të gjithë akterëve në proces, lëshimi në operim i kësaj njësie është bërë dy ditë para planit dinamik të paraparë.

“Për informim, sot nga ora 01.54 e mëngjesit KEK-u është duke prodhuar me kapacitetin maksimal prodhues në Termocentralet e ‘Kosovës A’ dhe ‘Kosovë B’, respektivisht me njësit gjeneruese A3, A4, B1 dhe B2 dhe me kapacitet maksimal prodhues prej 800 megavat orë energji elektrike”, ka bërë të ditur Thaçi.