Numri i shtuar i grabitjeve të bizneseve e sidomos ato të bankave në Kosovë është shndërruar në një shqetësim ndërkombëtar për shkak të kapitalit të huaj në këto banka.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi gjatë prezantimit të rezultateve të indikatorit matës të tendencës në biznes për tremujorin e dytë të vitit 2018 ngriti shqetësimin e bizneseve sa i përket grabitjeve që kanë ndodhur sidomos gjatë dy muajve të fundit.
Rukiqi ka deklaruar se nga 15 gushti deri më tani kanë ndodhur 7 grabitje të bankave në pikë të ditës.
“Shqetësim është rritja e numrit të grabitjeve sidomos në sektorin e bankave, prej 15 gushtit deri tani kanë ndodhur 7 grabitje ne pikë të ditës të cilat kanë krijuar mjaft shqetësime se një numër i bankave kanë kapital të huaj”, ka thënë Rukiqi.
Kryetari i OEK është shprehur se kanë ndodhur një numër i madh i vjedhjeve edhe në biznese të vogla sidomos në rajonin e Prishtinës.“Ne do t’i shkruajmë letër drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatave që rastet me i marrë me prioritet”, ka potencuar Rukiqi.
Ai ka nënvizuar rastin e grabitjes së bankës TEB e cila posedon kapital francez duke thënë se kjo ndikon edhe më shumë në hezitimin e Francës për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Banka TEB ka kapital francez e normalisht që shteti francez ka arsye për me u shqetësu. Kjo ndërlidhet edhe me procese të tjera kur e dimë që Franca është njëri prej shteteve që është duke hezituar për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe jo veç duke hezituar por është edhe kundërshtare”, ka theksuar Rukiqi.
Sipas Rukiqit, Kosova nuk ka imazh të mirë, nëse vazhdon ky trend mund të rrezikoj edhe në tërheqjen e investimeve që aktualisht janë në Kosovë por edhe në tërheqjen e investimeve të reja.“Do të kërkojmë që të ketë një njësi në Prokurori që të merren me bizneset siç merren me dhunën në familje. Imazhi është krizë që po na përcjellë për një kohë të gjatë sa i përket investitorëve të huaj”, ka përfunduar ai.
Ndër të tjera Rukiqi e ka përmendur edhe taksën e ‘Rrugës së Kombit’ duke thënë se nuk ka marrë ankesa individuale por që ka marrë ankesa nga shoqatat.
“Nuk kemi pasë ankesa që kanë ardhur individualisht por kanë ardhë nëpërmes shoqatave, si Shoqata e Transportit, Shoqata e Naftëtarëve, ka rritje prej 20 për qind të kostos së transportit dhe ka efekt te kompanitë. Duke marrë parasyshë edhe barrierat e tjera për këto biznese bëhet jashtëzakonisht e vështirë operimi në Shqipëri”, ka thënë Rukiqi.