Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, ka thënë se vendi nuk është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike.
Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, shpjegon se ndërprerjet e energjisë shkaktohen për shkak të prishjeve teknike dhe motit të ligë.
“Siç e dini, KEDS ka trashëguar një rrjet të vjetër elektrik, dhe për pasojë, prishjet në rrjetin elektrik është e pamundur të evitohen plotësisht”, thotë ai.
“Për fat të mirë, thuajse asnjëherë nuk ndodhin probleme në ato lokacione ku KEDS tashmë ka investuar për të përmirësuar rrjetin. Për këtë arsye, kompania vazhdon të investojë çdo vit në tërë Kosovën për të ndërruar rrjetin e vjetër me një rrjet modern”, shton Buzhala.
Gjatë ditës së djeshme, KEDS njoftoi se është mobilizuar për të garantuar furnizim stabil me energji elektrike gjatë stinës të dimrit.
Fundjavën e kaluar, dy komuna të Kosovës, Fushë Kosova dhe Suhareka, janë përballur me mungesë disa orësh të energjisë, gjë që ngjalli reagimin e qytetarëve të këtyre komunave. Por, sipas Buzhalës, ndërprerja e përkohshme e energjisë ka qenë e domosdoshme për shkak të intervenimeve në rrjet. Ndërprerja në Suharekë është bërë me kërkesë të KOSTT-t, për shkak se kjo kompani kishte punime të planfikuara, ndërsa në Fushë Kosovë për shkak të vendosjes së një trafoje shtesë në nënstacionin 35/10 kV për të evituar mbingarkesat.
“Në të dy rastet konsumatorët janë njoftuar paraprakisht përmes mediave. Pra, bëhet fjalë vetëm për intervenime të domosdoshme në rrjet, që shkaktojnë ndërprerje disa orëshe. Ne nuk mund të punojmë në tension të lartë, dhe për këtë kërkojmë edhe mirëkuptim nga qyetarët”, thotë ai.
Javë më parë, edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ZRRE, i kishte kërkuar KEDS që të mos bëjë reduktime të energjisë elektrike, përveç në ato raste kur intervenime është i domosdoshëm.
Buzhala përmend edhe një tjetër problem me të cilin vazhdojnë të përballen që një kohë të gjatë.Sipas tij, humbjet në rrjet, që ndodhin edhe për shkak të kyçjeve ilegale nga konsumatorë të pandërgjeshëm, e rëndojnë situatën.
“Dhe pikërisht ato lokacione ku ka keqpërdorim më të madh të energjisë ballafaqohen me ndërperje sepse rrjeti nuk arrin të përballojë mbingarkese. Ne kemi apeluar shumë herë tek autoritetet që të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Ne i identifikojmë mijëra raste në vit të keqpërdorimeve, por duhet që edhe gjykatat ta kryejnë pjesën e tyre të punës”, thotë Buzhala.
Të hënën, Kosova theu rekordin e konsumit të energjisë elektrike. Amvisëritë dhe bizneset kanë konsumuar afër 20.000 megavatë energji brenda 24 orëve të asaj dite. Aktualisht, vendi importon një pjesë të energjisë elektrike, meqë prodhimi i brendshëm nuk përmbush të gjithë nevojën e konsumit.