Prokuroria kërcënon mjekët nëse nuk ofrohet ndihma shëndetësore emergjente

Si rrjedhojë e kërkesave për ngritje të pagës, drejtues të Federatës Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës kanë paralajmëruar se kanë kërkesa për masa radikale, duke përfshirë edhe mos ofrimin e shërbimeve emergjente shëndetësore.

Nëse realizohet një kërkesë e tillë, Prokuroria paralajmëron nisjen e hetimeve për veprën penale, ‘mosdhënia e ndihmës mjekësore’.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, për KALLXO.com tha se nëse realizohet paralajmërimi për mos ofrim të shërbimeve emergjente shëndetësore do ta analizojnë situatën dhe do të hetojnë nëse ka elemente të veprës penale.

Reklama e sponzorizuar

“Mos dhënia e ndihmës mjekësore është vepër penale, greva është e lejuar si e drejtë e garantuar por unë nuk e di se si mundet të bëhet diçka e tillë që të mos trajtohen rastet emergjente. Ne do t’i analizojmë të gjitha mundësitë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë, përndryshe do të hetojmë nëse nuk do të trajtohen rastet e natyrës urgjente”, tha prokurori Berisha.Kodi Penal i Republikës së Kosovës në nenin 261 përcakton dënime me burg për mos ofrim të ndihmës mjekësore.

“Mjeku ose punonjësi tjetër shëndetësor, i cili në kundërshtim me detyrën e tij refuzon t’i ofrojë ndihmën mjekësore personit të cilit i nevojitet ndihma e tillë, ndonëse ai është i vetëdijshëm ose do duhej të ishte i vetëdijshëm se mosveprimi i tillë mund të rezultojë në lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit ose vdekjen e personit, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”, përcakton Kodi Penal.Në rast se mos ofrimi i ndihmës mjekësore pason me lëndim të rëndë ose dëmtim të rëndë të shëndetit, parashihet dënim prej 3 muaj deri në 3 vjet burg, ndërsa kur mos ofrimi i ndihmës rezulton me vdekje, kryesi dënohet me dënim deri në 8 vjet burg.

Gjithashtu, Ligji për Grevat në Kosovës, ligj ky që rregullon kushtet, mënyrën dhe të drejtën për grevë, parasheh rastet kur kërkohet sigurimi i minimumit të procesit të punës.“Këshilli Grevist ka për detyrë që gjatë kohës së grevës të bashkëpunojë me organin punë drejtues të organizatës, përkatësisht me punëdhënësin për të siguruar minimumin e procesit të punës dhe të prodhimit, kur një punë e tillë është e domosdoshme për jetën dhe sigurinë e qytetarëve ose është kusht i pazëvendësueshëm i jetës dhe punës së qytetarëve”, thuhet në nenin 16 të Ligjit për Greva. /kallxo