Zyrtarët serb e quajnë ‘bllokadë totale’ vënien e taksës së dytë nga Qeveria

Zyrtarë të Serbisë e kanë pritur me hidhërim ngritjen e taksës 100 % edhe për mallrat ndërkombëtare që prodhohen në Serbi e që eksportohen në Kosovë.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën ,Marko Gjuriq, ka deklaruar se në këtë vendim me mallra të kompanive të huaja që i kanë repartet në Serbi, Kosova i ka shpallur luftë brendeve të mëdha ndërkombëtare dhe njëkohësisht është tallur me vendet e QUINT-it pas takimit të djeshëm, shkruajnë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Sipas tij, shqiptarët nuk janë të sinqertë kur thonë se dëshirojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të arrijnë marrëveshje me Serbinë.

Reklama e sponzorizuar

Edhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiq, ka vlerësuar se masat shtesë të Kosovës për prodhimet e huaja të kompanive me seli në Serbi, janë bllokadë totale e tregtisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Lista Serbe e ka quajtur këtë vendim të sotëm të Qeverisë së Kosovës, sjellje anti-serbe dhe anti-qytetare dhe që e rrezikon shumë popullin serb.