Në Javën e CEFTA-s që po mbahet në Prishtinë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala ka thënë se si objektivë e përgjithshme e politikave ekonomike, Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të madhe mbajtjes së një ekonomie liberale, duke respektuar të gjitha rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Sipas tij, Kosova njihet si një shtet kandidat potencial dhe Kosovës i është dhënë edhe perspektiva e BE-së.
Shala ka shtuar se Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s dhe ka krijuar barriera në vazhdimësi ndaj kompanive kosovare për lëvizjen e mallrave nëpër Serbi.
David Cullen nga Komisioni Evropian ka thënë se taksa ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e ka vënë në hije punën e Kosovës në kryesimin e CEFTA-s.
“Si pasojë e kësaj mase jo të gjitha palët e CEFTA-s janë këtu në këtë Javë dhe nuk mund të merren vendime të përbashkëta të CEFTA-s. Më lejoni të jap qëndrimin e KE-së për këtë. Masat e fundit që janë vënë nga Kosova janë kundër rregullave dhe parimeve të CEFTA-s. Mosmarrëveshjet tregtare ndodhin dhe ne e kuptojmë se ka barriera të vërteta, që Kosova po ballafaqohet me to, por duhet të adresohen në forume adekuate që përfshihen edhe kornizën e CEFTA-s”, theksoi Cullen, raporton Kosovapress.
Ai tutje ka thënë se derisa masa ndaj mallrave me origjinë serbe dhe të Bosnjës është miratuar, kryesimi i Kosovës ka qenë i suksesshëm.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s dhe kjo e fundit asnjëherë nuk ka arritur që të zgjidhë këto probleme.
Rukiqi tha se 60 për qind e bizneseve nuk kanë pa asnjë përfitim nga CEFTA. Sipas tij, nuk janë vetëm Serbia dhe Bosnja që kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-s.
Në Javën e CEFTA-s që po mbahet sot në Prishtinë, nuk po marrin pjesë Serbia, Bosnja dhe Moldavia.