Shpërthen ambasadori britanik: Po më vjen marre sa pak zyrtarë po dënohen për korrupsion

I turpëruar është ndier ambasadori i Britanisë se Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, pas prezantimit të të dhënave të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi në lidhje me integritetin e sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.

Përderisa drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka prezantuar mënyrën se si janë proceduar rastet e korrupsionit ku janë të përfshirë zyrtarë të profilit të lartë, nga këto të dhëna del që vetëm ish-kryetari i Komunës së Kllokotit është dënuar me aktgjykim të formës së prerë, dhe atë me kusht”.

Reklama e sponzorizuar

O’Connell, pas këtij prezantimi, ka thënë se “po më vjen marre për këto të dhëna duke pasur parasysh këmbënguljen e Qeverisë britanike për sistemin e drejtësisë”.

Për ambasadorin britanik ka qenë veçanërisht dëshpëruese se si zyrtarët e lartë nisin të hetohen vetëm kur humbin pozitat.

“I pashë të dhënat e monitorimit që pjesa më e madhe e hetimeve nisin kur zyrtarët humbin pozitat. A mos prokurorët po nisin hetime për qëllime politike? A mos pushteti po shërben si mburojë nga gjyqësori? Kur do të vijë fundi i kulturës së pandeshkueshmërisë”, ka theksuar diplomati britanik.

Ambasadori britanik u ka bërë thirrje prokurorëve e gjyqtarëve që janë të ndikuar nga politika, të lëshojnë rrugë.

“Këtij sistemi i duhen heronj. Kush nuk mund të ndjekë këta zyrtarë, është koha të lëshojë rrugë”, ka thënë O’Connell.