Stafi i stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk ka marrë paga për katër muaj

Punëtorët, që aktualisht nuk menaxhohen nga askush, nuk kanë pranuar të flasin para kamerës. Por, prapa saj, kanë thënë se nuk po paguhen për mirëmbajtjen e stadiumit, raporton KTV.

Deri tash, janë paguar me mëditje nga Federata e Futbollit të Kosovës, sa herë që përfaqësuesja ka pasur ndeshje. Njëjtë vepron edhe klubi i Prishtinës.

Komuna e Prishtinës, që është pronare e stadiumit, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, pasi ka thënë se ende nuk ka përfunduar çështja e pronësisë.

Reklama e sponzorizuar

Komuna ka mohuar se punëtorët i ka angazhuar ajo. Por, në FFK e thonë të kundërtën.

“Stadiumi “Fadil Vokrri” dhe stafi që punon aty, që e ka pru’ komuna aty, ka ardhur në një situatë ku askush nuk e menaxhon atë dhe thuajse Federatës i ka rënë barrë. Janë mëditje që secili punëtor i Federatës i merr. Janë shuma të vogla, mund të them edhe pak qesharake, për punën që e kanë bërë ata djem”, ka thënë Arianit Ahmeti zëvendëssekretar në FFK.

Për këtë staf, i cili është trajnuar nga ekspertë ndërkombëtarë për të punuar me makineri moderne, FFK-ja kërkon që të gjendet një zgjidhje.

“Me siguri ishte dashtë me ba diçka, mirëmbajtja e stadiumit është kosto shumë e madhe. Duhet me ba një zgjidhje, ndoshta me ndonjë ligj specifik për mirëmbajtjen e objekteve të rregullohet diçka, apo komuna mund të ketë fonde të mjaftueshme për ta mbajtur këtë stadium, tek e fundit është pronare”, ka thënë Ahmeti.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pati kërkuar që të bëhet bashkëpronare e stadiumit, por me një gjë të tillë nuk është pajtuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kohavisioni nuk ka arritur të marrë një qëndrim të ministrisë lidhur me këtë çështje. /koha.net/