Institucionet e Kosovës janë goditur nga një sulm i fuqishëm kibernetik që vjen nga Serbia. Sistemi i postës elektronike është hakuar në tërësi. Gazeta Express ka siguruar njoftimin që Qeveria e Kosovës i ka dërguar ambasadave kosovare për t’i njoftuar rreth këtij sulmi. Janë hakuar email-at zyrtare të shtetit, e kanë frikë se ky sulm mund të zgjerohet.
Qeveria i ka njoftuar të gjithë institucionet se kanë pasur një sulm masiv që vjen prej Serbisë, Bosnjës e Maqedonisë.
“Ju njoftojmë qe sot prej orës 10:00 kemi pasur sulm kibernetikë masiv dhe i cili është duke vazhduar ende. Sulmi është shume i organizuar dhe vjen nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe tani kur po e bëjë ketë njoftim ka filluar edhe nga Maqedonia”, thuhet nënjoftimin që e ka siguruar Express prej burimeve në qeveri.
Cak i këtij sulmi kanë qenë komunikimet e postës elektronike zyrtare të zyrtareve të institucioneve të Kosovës, kryesisht në adresë të zyrtareve diplomatikë.
“Qëllimi i këtij sulmi duket të jetë qe të pamundësoj komunikimin zyrtar të institucioneve te Kosovës përmes postes elektronike zyrtare”, thuhet në njoftimin që Qeveria e Kosovës i ka dërguar institucioneve shtetërore.
Qeveria, siç thuhet në kumtesën e saj, ka marrë masa që të mbajë në funksion postën elektronike.
“Agjencia e Shoqërisë se Informacionit-ASHI, ka realizuar te gjitha intervenimet e nevojshme ashtu qe të mbaj funksionale shërbimin e postes elektronike zyrtare si dhe jemi në koordinim më departamentin për krim kibernetike në policinë e Kosovës”.
Ndërsa, kanë frikë se ky invazion mund të zgjerohet edhe në shërbimet e tjera elektronike.
“Ky sulm kibernetik mund të zgjerohet edhe ne shërbimet tjera elektronike online si dhe në institucionet tjera, prandaj Agjencia e Shoqërisë se Informacionit-ASHI në kuadër të kapaciteteve njerëzore dhe teknike qe posedon, është e angazhuar në parandalimin e pasojave të mundshme nga ky sulm”.
Gjithashtu ambasadat njoftohen që komunikimet elektronike nga posta elektronike zyrtare me këto vende të cilat janë burim i këtij sulmi kibernetikë janë të kufizuar pas ndërhyrjeve qe kanë bërë.