Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, ka paguar para të majme për të siguruar një vend dhe ulëse të mirë në Paris, muajin e kaluar, por edhe në varrimin e presidentit George H.W. Bush, të mërkurën në Amerikë.
Ai ka shtuar se po të mos e bënte këtë gjë, Thaçi do ta kishte të pamundur të ulej, sidomos dje, mes kancelares gjermane dhe presidentit polak.
“Bëhet fjalë për para të majme që i paguajnë të dërguarit e tij, e jo ‘kuazi’ shteti i tij. Para së gjithash ata nga New York-u, por edhe nga Zvicra, Gjermania, Italia..”, ka thënë ai në një intervistë për Tv Pink.
“Të mos keni iluzione se diçka tjetër është në pyetje. Paramendojeni Thaçin – një luftëtar i njohur për të drejtat e njeriut – ta ketë merituar me diçka tjetër ulësen ngjitur me Merkelin”.
Megjithatë, serbi ka lënë të hapur edhe një mundësi tjetër për atë se si iu bë e mundur Thaçit të sigurojë këto ulëse kaq të rëndësishme në Francë e Amerikë. Sipas tij, ndoshta dikush i “fuqishëm” po i ndihmon atij, duke përfaqësuar interesat e Prishtinës, por ka përfunduar se është i bindur që kjo nuk është e vërtetë. /klank/