Kosova është e papërgatitur për t’i bërë ballë dimrit të paralajmëruar nga meteorologët si i ashpër. Janë të papërgatitur i tërë zinxhiri i sistemit elektroenergjetik të vendit, duke filluar nga KEK-u, prodhuesi dominant i energjisë elektrike në Kosovë, nga KEDS/KESCO, kompania monopoliste e furnizimit të konsumit tonë me rrymë, nga institucionet kompetente vendimmarrëse për zhvillimet energjetike dhe kështu me radhë. Pse mungon transparenca rreth të dhënave të zhvillimeve energjetike në vend dhe rreth sasisë reale dhe të saktë të importit të rrymës?
Mehmet GJATA
Ditët e para me temperatura më të ftohta dhe për rrjedhojë rritja e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike, po dëshmojnë se Kosova është e papërgatitur për t’i bërë ballë dimrit të paralajmëruar nga meteorologët si i ashpër (me më shumë ditë të acarta dhe me më shumë të reshura të borës se sa disa dimra paraprak). Janë të papërgatitur i tërë zinxhiri i sistemit elektroenergjetik të vendit, duke filluar nga KEK-u, prodhuesi dominant i energjisë elektrike në Kosovë, nga KEDS/KESCO, kompania monopoliste e furnizimit të konsumit tonë me rrymë, nga institucionet kompetente vendimmarrëse për zhvillimet energjetike dhe kështu me radhë.
Brishtësinë, për të mos thënë krizën evidente që e ka kapluar tani, zinxhirin e kompanive dhe institucioneve që kanë në duar fatin energjetik të vendit, e qiti në pah ulja e temperaturave në mbarë Kosovën, të reshurat e shiut dhe të borës në këto ditë kur ende nuk ka filluar dimri i vërtetë/i acartë dhe apeli ndaj qytetarëve i KESCO-s e KEDS-it për kursim të energjisë elektrike, me arsyetimin se gjatë këtij muaji, konsumi ka arritur nivele historike dhe se “që nga fillimi i dhjetorit, Kosova ka importuar 35 milionë euro energji elektrike”.
Mirëpo, sado që janë të diskutueshme alarmet e KEDS/KESCO, për rritjen në nivele historike të konsumit (sipas një komunikate të KEDS/KESKO, konsumi i rrymës në orët e pikut ka arritur në 1.500 megavatë për orë), janë të gjitha sinjalet që Kosovën po e pret një dimër i vështirë dhe i paqartë elektroenergjetik. Aq më shumë, kur dihet se nga termocentralet aktive të KEK-ut (dy blloqe të Kosovës A dhe dy të Kosovës B) ka mundësi reale, nëse ato punojnë pa ndërprerë, të prodhohen gjithsej 750-780 megavatë orë, ose saktësisht rreth gjysma e energjisë të konsumit në orët e pikut, sipas KESCO-s.
Por, procesi i prodhimit në termocentralet e stërvjetruara të vendit nuk është i sigurtë. Orë e çast mund të ndodhin defekte teknike (rrjedhje të ujit në kalldajë) dhe për këtë shkak, qoftë edhe defekti teknik fare i vogël, duhet të ndërprehet prodhimi në njësinë ku ka ndodhur ai. Dhe kjo do të thotë, për aq kohë sa do të ndodhë riparimi i njësisë me defekte teknike, Kosova do të ketë më pak energji elektrike. Bie fjala, nëse largohet nga prodhimi njëri bllok i termocentraleve Kosova B, vendi do të ketë minus 260 megavatë-orë, ndërsa nëse për shkak të ndonjë defekti teknik do të bie ndonjëri nga blloqet e Kosovës A, do të ketë minus 130 megavatë.
Këto nuk janë hamendësime të kota. Dy ndërprerje brenda një jave në fillim të këtij muaji të dy njësive prodhuese të termocentralit Kosova B (njëherë B1 dhe pastaj B2), prodhuesit më të madh të energjisë elektrike në Kosovë, ku mbështeten ende shpresat për të pasur rrymë vendi edhe në ditë të mira edhe në ditë të këqija, dhe rënia e mëpastajme e dy blloqeve të Kosovës A, po gjatë këtij muaji, janë dëshmi se defektet teknike në stabilimentet e vjetra të prodhimit të rrymës në vend, mund të ndodhin në çdo kohë dhe papritur fare. Dhe këto fakte, KEDS/KESCO i ka të ditura qartësisht. I ka pasur të njohura edhe me rastin e privatizimit të ish-ElektroKosovës, distribucionit të energjisë elektrike, prandaj për njohësit e zhvillimeve elektroenergjetike të vendit janë goxha të pakuptimta edhe alarmet e KEDS/KESCO, për rritjen në nivele historike të konsumit.
Kompania turke, me rastin e privatizimit, e ka ditur, ose është dashur të ketë të dhëna edhe për klimën tipike kontinentale të Kosovës dhe dimrave të mundshëm të acartë që mbajnë në këtë vend. Dhe në këto rrethana ka arritur kontratën për të menaxhuar furnizimin e Kosovës me rrymë. Sidoqoftë, për të qenë më bindës dhe më i besueshëm rreth rritjes së konsumit dhe shumave të akcektuara që paska kushtuar importi i energjisë elektrike deri më sot gjatë dhjetorit, KEDS/KESCO, duhet të jenë fare transparente në raport me publikun, që i bie me konsumatorin, të jenë të sinqertë dhe të saktë rreth sasisë së importuar në çdo kohë të ditës, dhe çmimit të rrymës së importuar. Nuk mjafton vetëm të thuhet se janë shpenzuar 35 milionë euro deri më tani në importin e rrymës.
KEDS/KESCO duhet të tregojnë saktësisht ku e kanë blerë energjinë elektrike, nga cila bursë dhe me cilin çmim mesatar ditor dhe çmimin në orët e pikut. Po kështu, KEDS/KESCO duhet të informojë qytetarët e këtij vendi, pse gjatë këtyre ditëve me temperatuara të ftohta, një pjesë e madhe e Kosovës rurale (fshatra e lagje nga shumica e komunave të Kosovës) është përballur me mungesë të energjisë. Në Malishevë të hënën që shkoi, madje, disa qytetarë protestuan para zyrave të KESCO-s.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë për medie se “është i papranueshëm furnizimi jo i rregullt me energji elektrike në Komunën e Vitisë, gjatë këtyre ditëve të fundit gjatë stinës së dimrit, konkretisht në qytet dhe në disa fshatra”.
Ndërkaq, KEK-u poashtu duhet të njoftojë qytetarët e këtij vendi për shkaqet e ndërprerjeve kaq të shpeshta të njësive të prodhimit edhe gjatë muajve pas realizimit të riparimeve të planifikuara, të detajuara dhe të stërgjatura në të dy blloqet e Kosovës B dhe pas riparimeve të shumta të blloqeve të Kosovës A. Duhet të shpjegojë për publikun pse nuk po angazhohen 3 blloqe të Kosovës A në këtë kohë të mungesës së theksuar të energjisë nga kapacitetet prodhuese vendore dhe pse nuk po huazohet më shumë energji elektrike nga Shqipëria, në bazë të marrëveshjeve për këmbimin e rrymës KEK-KESH. Duhet të informohen konsumatorët, po kështu, për faktin pse sivjet ka dështuar KEK-u të deponojë sasi më të shumtë të rrymës në KESH gjatë sezonit veror, për ta pasur më të sigurtë shfrytëzimin e këtij deponimi gjatë ditëve problematike energjetike në vend.
Me fjalë të tjera, edhe në Kosovë, sikundër te shumica e vendeve të rajonit, edhe për furnizuesin me energji elektrike, edhe për prodhuesin, duhet të jetë obligativ publikimi i çmimeve, por edhe përcaktimi i afateve të vlefshmërisë për çdo ofertë të publikuar), që do të thotë një proces më transparent i tregtimit të rrymës. Edhe pse Kosova ka specifika dhe ndryshime rreth organizimit të furnizimit me energji elektrike (struktura dhe hierarki që dallojnë nga ato të disa vendeve të Ballkanit dhe mungesës së më shumë furnizuesve me energji elektrike), përkatësisht blerjes dhe sigurimit të energjisë elektrike në tregjet dhe bursat ndërkombëtare, është më se e udhës të aplikojë këto përvoja, ku do të krahasoheshin ofertat e mundshme nga furnizuesit edhe me shumicë edhe me pakicë të energjisë elektrike.
Edhe në Kosovë, doemos, duhet të mendohet dhe të vendoset shpejtë që bizneset shpenzuese potenciale të rrymës (ato, që rëndom janë të lidhura në tensionin 10kV), të dalin në tregun e lirë të energjisë. Në Kosovë, siç dihet, praktikisht që nga viti 2013 ekziston vetëm një furnizues me energji elektrike dhe ky është KEDS-KESCO, kompani turke e cila ka privatizuar ish – ElektroKosovën, që ishte ndërmarrja, po kështu e vetme e distribuimit të energjisë elektrike deri më 2013.
KEDS-KESCO, ende praktikisht, si kompani e vetme për furnizim të konsumit të Kosovës, ka edhe monopol të furnizimit. Ndërsa, transparenca rreth tregtimit të energjisë elektrike nga kompania turke nuk ka qenë gjithmonë karaketeristikë e aplikueshme. Prandaj, publikimi i çmimeve, por edhe përcaktimi i afateve të vlefshmërisë për çdo ofertë të publikuar me rastin e importit të rrymës në mungesë të energjisë së bollshme nga kapacitetet vetanake edhe nga kompania private KEDS-KESCO, do të krijonte favore edhe për vet kompaninë, pra nëpërmjet bërjes transperente do të bëhej më e pranueshme nga opinioni.
Saktësimi i të dhënave të tregtimit të energjisë elektrike nga KEDS/KESCO do të bënte më bindëse dhe më të besueshme këtë kompani karrshi konsumatorëve. Pokështu, do të sqaronte realisht përmasat e krizave eventuale energjetike, por edhe do të evitonte dilemat e shumëkujt se krizat e ashtuquajtura elektroenergjetike që po e përfshijnë goxha shpesh Kosovën janë reale, apo të stisura nga tregtimi dhe tregtarët aktual të rrymës për nevojat e konsumit të vendit. /Buletini Ekonomik/