ZRRE nuk zbaton vendimet e Qeverisë për rrymën në veri

Deri në 50 milionë euro llogaritet të jetë shuma e paguar nga konsumatorët e pjesës tjetër të Kosovës për shpenzimin e energjisë nga serbët në veri.

Këto mjete është dashur t’ua kompensojë Zyra e Rregullatorit të Energjisë, por kjo e fundit nuk ka bërë asnjë hap para, raporton KTV.

Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e ka arsyetuar këtë vonesë me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Reklama e sponzorizuar

Por, drejtoresha e departamentit për çështje juridike tek Avokati i Popullit, Suzana Gashi, ka thënë se, derisa ZRRE e ka anuluar vendimin e vet, nuk ka nevojë që kompensimi të jetë i obligueshëm nga gjykata.

Nga komisioni për të Drejtat e Njeriut kanë thënë se kompensimi duhet të bëhet patjetër, pasi faturimi i shpenzimeve në veri është bërë pa aprovimin e tyre.

Përveç këtij rekomandimi, ZRRE ende nuk ka arritur të zbatojë një rekomandim tjetër për gjetjen e alternative për t’u shmangur nga humbjet në veri.

Për këtë, Pepaj ka thënë se është më tepër çështje politike sesa teknike, andaj presin që zgjidhje të bëhet përmes bisedimeve.