Shitja e IPKO-s: Telekom Slovenije zbulon detaje ekskluzive

Situata jo e mirë financiare në kompaninë IPKO duket ta ketë shtyrë aksionarin (Telekom Slovenije) që të marrë vendim për tu larguar nga Kosova. Zyrtarë të Telekom Slovenije, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, kanë thënë se në tri vitet e fundit IPKO ka qenë duke punuar me humbje.

Ata kanë shpalosur detaje të reja rreth arsyeve që çuan në inicimin e procedurave për shitjen 100 për qind të aksionëve të filialit të saj në Kosovë, IPKO Telecommunications LLC, përcjellë Buletini Ekonomik.

“Në vitin 2018, Ipko realizoi një humbje prej gjysmë milioni euro, 2.6 milionë euro humbje në vitin 2017 dhe 5.8 milionë euro në vitin 2016”, ka thënë Katarina Preseren, Drejtoreshë e Zyrës për Komunikim me Publikun në Telekom Slovenije.

Reklama e sponzorizuar

Përkundër kësaj, Preseren ka thënë se IPKO ruajti lidershipin në telefoninë fikse në Kosovë (36,87%), ndërsa pjesa e tregut në segmentin e telefonisë mobile ishte 40,5 për qind.

“Në të njëjtën kohë, mbulueshmëria me rrjetin LTE /4G u rrit në 87.8%. Në vitin 2018, Ipko ka realizuar të ardhura nga shitjet neto prej 71,3 milionë eurosh, gjë që ishte e ngjashme me nivelin e regjistruar në 2017 (71,2 milionë euro) dhe 69,5 milionë euro në vitin 2016. Në vitin 2018 fitimi para interesit, tatimit, zhvlerësimit dhe amortizimit (EBITDA) i IPKO-s arriti në 29.4 milionë euro”, ka thënë ajo.

Preseren thotë se vendimi është në përputhje me strategjinë e grupit Telekom Slovenije për periudhën 2019-2023, e cila gjithashtu përfshin mundësinë e konsolidimit të mëtejshëm nëpërmjet zgjerimit të investimit në tregjet ku operon grupi.

Në mars të vitit 2018, Telekom Slovenije u bë pronar i vetëm i IPKO-s pasi u pajtua të blejë pjesën e mbetur prej 6.89% të kompanisë. IPKO është ofruesi kryesor internetit dhe ofrues i dytë më i madh i telefonisë mobile në Kosovë. /Buletini Ekonomik/