Zv. kryeministri i Serbisë: Shkaku i taksës, 2400 ndërmarrje në Serbi kanë mbetur pa treg

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Rasim Lajiq thotë se Kosova nuk po reagon ndaj apeleve të Bashkimit Evropian që të hiqet taksa 100 për qind për mallrat serbe.

Ai vlerëson se duhet të pasojë aksioni i SHBA-ve dhe BE-së kur bëhet fjalë për këtë problem.

“Në parim ky nuk është vetëm raport ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por po ndikon në perceptimin e tërë rajonit dhe se Ballkani sërish po kthehet në fokus si zonë e konfliktit”, ka thënë Lajiq.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, kjo mund të ndikojë në ardhjen e investitorëve në këtë pjesë të rajonit, sepse askush nuk investon në një rajon jostabil.

“Pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, është paraqitur problemi i Ushtrisë dhe këtu shihet se nga një problem i vogël po krijohet një më i madh dhe situata po radikalizohet”, tha ai.

Ai ka thënë se nga 21 nëntori deri më 11 dhjetor në Kosovë janë futur mallra për 30 milionë euro më pak në krahasim me përiudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Ky është dëm jashtëzakonisht i madh dhe nëse vazhdohet kështu dhe institohet në taksa shtesë, kjo praktikisht do të thotë se tregtia me Kosovën do të suspendohet krejtësisht”, ka thënë Lajiq.

Ai ka shtuar se 2600 ndërmarrje të vogla dhe të mesme nga Serbia të cilat kanë shitur mallra në Kosovë, tash e kanë të pamundur, pasi që me taksën 100 për qind nuk kanë gjasa që të jenë konkurrent në tregje.