Zyra e BE-së kërkon nga Qeveria që ta tërheqë vendimin për taksë ndaj brendeve ndërkombëtare

Zyra e BE-së në Prishtinë, i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ri-shqyrtojë vendimin e ri, sipas të cilit edhe brendet e njohura ndërkombëtare të cilat futen nga Serbia në Kosovë, do të taksohen 100 për qind.

“E kemi parë me shqetësim vendimin e Kosovës për të shtrirë tarifën prej 100 për qind edhe për produktet e markave të njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, duke përfshirë edhe vendet e BE-së, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë”, thuhet në komunikatën e zyrës së BE-së, raporton Gazeta Express.

Sipas tyre vendosja e këtyre tarifa nuk i kontribuon fqinjësisë së mirë në rajon dhe bie në kundërshtim me marrëveshjet dhe angazhimet që ka marrë Kosova.

Reklama e sponzorizuar

“Ne duam të përsërisim mesazhin e BE-së, se vendosja e tarifave nuk kontribuon në marrëdheniet e fqinjësisë së mirë dhe ajo bie në kundërshtim me angazhime e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe angazhimeve të marra nga nënshkrimi i MSA-së”, vazhdon reagimi.

Zyra e BE-së në Prishtinë i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin dhe të revokojë taksën.

“Ky do të ishte vendimi i duhur që Kosova dhe populli i sajë të avancojë drejt aspiratave Evropiane për të tashmen dhe të ardhmen”, thuhet nga zyra e Apostolovës.

Ndërkohë është bërë thirrje që edhe Kosova por edhe Serbia të përmbahen nga veprimet të cilat do të binte në kundërshtim me thirrjen e BE-së për bashkëpunim rajonal.

Dje ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë të ditur për vendimin e ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në vendimin për taksë, të futen edhe një listë e brendeve ndërkombëtare.

“Sot në mbledhjen e Qeverisë, me propozim timin edhe lista e 9 brendeve ndërkombëtare që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina pa masën 100 për qind, është eliminuar. Tashmë të gjitha produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do t’i nënshtrohen masës 100 për qind.

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka vendosur masën tregtare tarifore 100 % ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina më 21 nëntor 2018. Përjashtim nga kjo masë kanë disa marka apo brende të njohura ndërkombëtare. Pas kërkesave të shumta për inkuadrim në këtë listë, ne kemi analizuar këto ankesa, dhe futja eventuale e tyre në listën që përjashtohet nga taksa, atëherë do të humbte edhe kuptimin e taksës”, kishte shkruar Shala në profilin e tij në facebook.