Zgjerimi i rrugës Prishtinë – Podujevë nuk mund të përfundojë brenda 365 ditëve të parashikuara

Sivjet, në disa pjesë të magjistrales Prishtinë-Podujevë do të ketë asfalt të shtruar. Por, urat dhe disa nyje të tjera më të ndërlikuara, do të mbeten patjetër që të punohen më 2025. Urat nuk ka asnjë mundësi të kryhen sivjet. Ato nuk janë të pakta, dhe asnjëri nga llotet e kontraktuara nuk është pa ndonjë urë – që duhet të rindërtohet. Disa sosh nga ekzistueset duhet të shemben dhe të rindërtohen tërësisht nga e para. Dita-ditës janë paraqitur edhe punë shtesë, të paparashikuara me projektin bazik dhe që e kanë ndikimin në finalizimin e zgjerimit të rrugës Prishtinë- Podujevë.

Mehmet GJATA

Kur filluan më në fund punimet në zgjerimin e pjesës së mbetur të rrugës Prishtinë-Podujevë (nga Bërnica në Lluzhan – rreth 16 kilometra), nga autoritetet pati kundërthënie të shprehura dhe të pashprehura rreth përfundimit të punimeve brenda 365 ditëve të planifikuara. Kryeministri Kurti, në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve në këtë magjistrale, në të cilën kanë nisur punimet për zgjerimin e saj qysh para tetë vjetësh, më saktësisht që në vitin 2016, tha se rruga Prishtinë-Podujevë do të përfundojë për 365 ditë pune.

Reklama e sponzorizuar

“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të përmbyllet pritja shumëvjeçare”, deklaroi Kurti në verën e vitit të kaluar.

Ndërsa, edhe disa zyrtarë të tjerë u shprehën optimistë se këto punë do të finalizohen më 2024, duke theksuar se janë bërë të gjtha përgatitjet për t’u përmbushur ky afat, janë siguruar mjetet e nevojshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe janë bërë edhe shpronësimet përgjatë gjithë trasesë së magjistrales që do të zgjerohet.

Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me këtë rast ishte shprehur skeptik se punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë do të përfundonin pas një viti, ani pse ashtu parashihet me kontratë.

Ai ka thënë se nga përvoja në të kaluarën, nuk pret që rruga të kryhet pas 365 ditësh.

“Nga përvoja e kaluar nuk pres që kryhet, por ne e kemi bërë mobilizimin maksimal për me arritë këtë datë pra që të përfundojë për 1 vit. Jemi duke luftuar për me arritë këtë datë. Por, nuk i shti duart në zjarr që kryhet, sepse ne e kryejmë shpronësimin, e bëjmë mbikëqyrjen e krejt, por faktorët e paparashikueshëm mund ta ndërrojnë atë 365-ditëshin”, kishte deklaruar Aliu në një intervistë për medie.

Dje, edhe një inxhinier, specialist për ndërtimin e rrugëve, i angazhuar në realizimin e këtij projekti dhe që do të mbetet anonim, i tha Buletinit Ekonomik se nuk ka shumë gjasë që të përfundojnë të gjitha punët sivjet, përkatësisht brenda 365 ditëve.

“Nuk është se nuk po punohet, por tani te disa kompani fituese të punëve në një llot të rrugës ka zënë të ndihet mungesa e punëtorëve.”

Sipas tij, problem të veçantë, që do të ketë doemos ndikim në zgjatjen e finalizimit të projektit, paraqesin punët shtesë të cilat nuk janë paraparë me projekt, por që ndërkohë janë paraqitur si të domosdoshme për t’i kryer në kuadër të projektit. Ai përmend me këtë rast si punë shtesë të paplanifikuar, por që domosdoshmërisht është futur në kuadër të projektit, ndërtimin e tërësishëm të kanalizimit për fshatin Besi.

“Kjo është punë shtesë dhe nuk është përfshirë në projektin bazik të fillimit. Ndërsa, është edhe financim shtesë, për çka ministria ka ndarë mjete shtesë financiare. Ka edhe disa probleme të tjera, jo edhe aq të theksueshme rreth shpronësimeve, në vende të ndryshme të magjistrales, sidomos tek rrethrrotullimet, por që kanë ndikim në zhvillimin e punëve sipas parashikimeve”, ka shpjeguar ai për Buletinin Ekonomik.

Aktualisht, vëmendja e punimeve është përqendruar në finalizimin e rrethrrotullimit, tepër të rëndësishëm te udhëkryqi në fshatin Llapashticë, që i bie praktikisht në hyrje të Podujevës. Në këtë rrethrrotullim është punuar shumë gjatë, ndërsa tani, pas riprojektimit mendohet që brenda muajit të ardhshëm të përfundojnë punët.

Sipas tij, sivjet në disa pjesë të trasesë do të ketë asfalt të shtruar. Por, urat dhe disa nyje të tjera më të ndërlikuara, do të mbeten patjetër që të punohen më 2025, pasi urat nuk ka asnjë mundësi të kryhen sivjet.

“Ato nuk janë të pakta, dhe asnjëri nga llotet e kontraktuara nuk është pa ndonjë urë, që duhet të rindërtohet. Disa sosh nga ekzistuesiet duhet të shembën dhe të rindërtohën tërësisht nga e para”, thekson ai.

Një inxhinier tjetër, po kështu i angazhuar në ndërtimin e kësaj magjstraleje, dhe që nuk do t’i përmendet emri në medie, duke folur për zhvillimet e punimeve, i tha Buletinit Ekonomik se deri më tash nuk ka pasur asnjë vonesë nga ministria përkatëse për të bërë pagesat për punët e zhvilluara.

“Me të dërguar faturat, kontraktuesit e punimeve kanë marrë pagesat”, thotë ai.

Por, sipas tij, tani po shihet se disa kompani fituese të tendereve për njërin nga 5 llotet, nuk janë dëshmuar se kanë potencën e nevojshme profesioniste dhe në mekanizëm, për t’i realizuar punët në pajtim me pritshmëritë. Ai është edhe më konkret, duke shtuar se nga pesë punëkryes, dy po dëshmohen si kompani të mira, ndër të tri të tjera, lënë shumë për të dëshiruar (pa përmendur emërtimet e punëkryesve).

Siç u tha edhe më lartë në këtë tekst, projekti i zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë ka 5 llote, ku 4 llote janë zgjerim i rrugës ekzistuese, ndërsa lloti i pestë është finalizim i tashmë lotit të mëhershëm që është nga Lluzhani deri në Podujevë. Kjo, pak a shumë është gjendja aktuale e zhvillimit të punëve në zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Podujeve, një ndër rrugët nacionale të Kosovës më e ngarkuara me trafik dhe ndër më problematiket sa i përket numrit të fatkeqësive dhe viktimave nga aksidentet.

“Rruga Prishtinë-Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kahmotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase, pra të shpejtë e të sigurtë dhe do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë. Natyrisht që numri i ditëve është rreth numrit të ditëve që ka viti, që nevojiten si ditë pune për t’u përfunduar kjo, por tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm pra jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytet, por edhe për sigurinë e të gjithë udhëtarëve siç ka treguar këto vitet e shkuara ku kemi pasur shumë aksidente me fatalitet”, pati thënë kryeministri Kurti, me rastin e nisjes së punimeve.

Por, pse “nuk po bëhet çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë”, siç premtoi kryeministri, duhet të përgjigjet mbase vet ai dhe ministria e Qeverisë së tij, kompetente për finalizimin e kësaj rruge pas 8 vjetësh, që kur kanë nisur punët. /Buletini Ekonomik/