Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i është refuzuar viza amerikane, kështu që nuk do të mund të marrë pjesë në konferencën për Ballkanin në fillim të muajit shkurt, ka mësuar “Al Jazeera Balkans” nga burime brenda Departamentit të Shtetit.
Siç ka raportuar për mediumin në fjalë gazetari i tyre nga Washingtoni, më herët Haradinaj kishte pranuar ftesë për pjesëmarrje në punimet e konferencës, e cila mbahet më 6 shkurt.
Por, burimi i AJB nga Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se Haradinaj nuk ka marrë vizë për shkak të ngritjes së taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, transmeton Koha.net.
Haradinaj është dashur të marrë pjesë në këtë konferencë, ndërsa mos-shkuarja e tij i është konfirmuar mediumit edhe dikush nga organizatorët.
Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe kabinetin e Kryeministrit Haradinaj, por nuk kanë qenë të qasshëm.