Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, vazhdon të kërkojë pezullimin e taksës, por SHBA nuk i ka dhënë ultimatum kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kosnett ka filluar mandatin e tij në krye të misionit diplomatik amerikan në Kosovë, me një problem për të cilin nuk po i bindet kryeministri Haradinaj.
Ambasadori amerikan ka bërë disa herë thirrje për pezullimin e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake. Ka pasur edhe disa takime me liderët shtetërorë.
Megjithatë, Kosnett thotë se SHBa nuk i ka dhënë ndonjë lloj ultimatumi apo sanksioni ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Ne kemi rezistuar të japim ndonjë ultimatum. Ne nuk duam ta diktojmë punën e Qeverisë së Kosovës. Ne besojmë fuqimisht që pezullimi i përkohshëm i taksës sa më shpejt që është e mundur, do ta ndihmojë ecjen përpara të procesit”, ka thënë Kosnett në Interaktiv të KTV’së.
Mediat kanë raportuar se Kryeministrit Haradinaj i është dhënë një ultimatum prej 48 orësh nga SHBA, megjithatë një gjë të tillë e ka mohuar për Gazetën Express, këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi.
Kosnett mëngjesin e sotëm ka takuar krerët shtetërorë në zyrën e kryeministrit Haradinaj.
Shefi i Qeverisë edhe më tutje refuzon të hiqet taksa, pa e njohur Bosnja e Serbia shtetësinë e Kosovës.
Ndërkaq presidenti Thaci për disa kohë kërkon heqjen e taksës, pasi sipas tij po dëmtohen raportet me SHBA’në.
Kryeparlamentari Kadri Veseli edhe pse në fillim kishte përkrahur partnerit e tij qeverisës, Haradinajn, rreth vendimit të taksës, tash ai po kërkon pezullimin e saj për 120 ditë.