Së shpejti do të lëshohet për qarkullim linja e autobusit nga Prishtina për në Aeroportin e Prishtinës. Për këtë është nënshkruar marrëveshja ndërmjet ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe i Transportit, Rexhep Kadriu, sot për televizionin publik tha se mungesa e deritashme për linjën e autobusit Prishtinë-Aeroport është si pasojë e mos vullnetit nga ana e ministrave të kaluar.
“Kemi pasur mbi 2 milionë pasagjerë nga ANP-ja dhe ka qenë e padrejtë që të mos kemi pasur linjë të autobusit”, tha Kadriu.
Sipas tij nga e hëna do të krijohet një komision me komunën e Prishtinë ku do të vendoset për linjat e autobusit dhe për çmimin që do të paguajnë udhëtarët.
“Nuk do të shkojë më shumë se 3 euro bileta e autobusit nga Prishtina deri në Aeroport”, tha Kadriu.
Ai bëri me dije se kanë investuar shumë në komunat e Kosovës ku veçohet edhe Prishtina.
“Rruga e Veternikut ka mbetur një greminë. Ne kemi gjetur me një projekt të shpallur, ka qenë pa koordinim me Prishtinën. Do të ndërtohet Rruga “A”, e cila lidh Kalabrinë me lagjen ‘Mat’”, tha ai.