Pensionistët, shoqëria “e harruar” e Kosovës

Pensionistët sikur nuk ekzistojnë fare në Kosovën aktuale. Për pensionistët, për rreth 200 mijë sish, sa ka sipas të dhënave Kosova (prej tyre 49 mijë janë kontributpagues, ndërsa 149 mijë janë pensionistë ‘të pleqërisë”), nuk ka asnjë vëmendje nga Qeveria, e as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët duhet pyetur se a e dijnë fare se në këtë shoqëri ka edhe të moshuar që me vite të tëra punuan për këtë vend dhe tani në pleqëri nuk kanë mjaftueshëm as për të ngrënë, as për t’u mjekuar, e mos të flasim për të kaluar pleqëri të dinjitetshme. Nuk iu bie ndërmend për ta as institucioneve të tjera që do duhej ta kenë detyrë dhe obligim përkujdesjen ndaj pensionistëve dhe trajtimin më njerëzor të tyre.

Mehmet GJATA

Pensionistët e Kosovës vazhdojnë të anashkalohen nga shteti e pushteti, të mostrajtohen fare, as si qytetarë të margjinalizuar madje. Ata thjesht sikur nuk ekzistojnë fare në Kosovën aktuale, për të cilën, shumica e tyre, e dedikuan një jetë të tërë.

Për pensionistët, për rreth 200 mijë sish, sa ka Kosova sipas të dhënave, (prej tyre 49 mijë janë kontributpagues, ndërsa 149 mijë janë pensionistë ‘të pleqërisë”, mbi moshën 64 vjeçare me pension mujor prej 100 eurove), nuk ka asnjë vëmendje nga Qeveria, e as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët duhet pyetur se a e dijnë fare se në këtë shoqëri ka edhe të moshuar që me vite të tëra punuan për këtë vend dhe tani në pleqëri nuk kanë mjaftueshëm as për të ngrënë, as për t’u mjekuar, e mos të flasim për të kaluar pleqëri të dinjitetshme.

Reklama e sponzorizuar

Nuk iu bie ndërmend për ta as institucioneve të tjera që do duhej ta kenë detyrë dhe obligim përkujdesjen ndaj pensionistëve dhe trajtimin më njerëzor të tyre. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë, askund tjetër në botë, as në Europë dhe as në rajon. Kudo, edhe në vendet më të vërfëra, ose që janë në të njëjtin stad për nga potenca financiare me Republikën tonë, nuk margjinalizohen në këto përmasa, siç është bërë në vendin tonë në të gjitha vitet e pasluftës dhe nga të gjitha qeveritë.

Nuk shquhen me ndonjë gjendje kushedi çfare as vendet e rajonit, por të cilat, thuaja vazhdimisht, sidomos pas krizave të shkaktuara nga pandemia dhe ngritja e çmimeve, kanë ngritur pensionet, kanë ndarë mjete e donacione të ndryshme për pensionistë. Disa herë në muajt e fundit kanë ngritur pensionet Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia e edhe Shqipëria.

Maqedonia e Veriut, sipas medieve, për 330.000 pensionistët e vet do të ketë pensione më të mëdha sërish nga muaji mars. Me pensionin e marsit, siç sqarojnë zyrtarë të këtij vendi, pason një rritje e pensioneve me 8.4 për qind. Për vetëm një vit, përkatësisht nga marsi 2022 deri në mars 2023, në Maqedoninë e Veriut janë rritur pensionet për 18 për qind. Siç raportohet nga vendi fqinj, pensionet korrigjohen dy herë në vit, me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, që pastaj sigurohet edhe rritje e vazhdueshme e të hyrave pensionale.

Ndërsa në Kosovë pensionistët sikur nuk janë pjesë e kësaj shoqërie si në vendet e tjera të rajonit. Kryeministri Albin Kurti, sado që gjatë fushatës së tij zgjedhore, kishte premtuar se Programi i tij qeverisës, që në vitin e pare do të përfshinte reforma për skemën pensionale edhe sociale, këtë premtim tashmë e ka harruar fare. Reforma në skemën pensionale nuk ka ndodhur as pas dy vitesh.

Sipas njohësve të zhvillimeve në sistemin pensionist të vendit, reformat pensionale dhe sociale janë paraparë edhe në programin qeverisës 2021-2025. Por, deri tash ato nuk kanë ndodhur, as që kanë nisur të ndodhin brenda këtyre dy viteve.

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi, jo një herë ka alarmuar se “as kjo Qeveri nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna gjatë fushatës për pensionistët”. Ai tha se pensionistët nuk i pyet askush, ndërsa Ministria e Financave ka refuzuar vazhdimisht që t’i përfshijë në proces.

Gashi thekson se nga Qeveria kërkojnë që pensionet të rriten në bazë të shkallës së inflacionit. Sipas tij, “më shumë se gjysma e parave që pensionistët marrin shkojnë në barna, kështu që atyre u mbetet fare pak për ushqim e nevoja të tjera të jetës”, kurse, në Kosovën e varfër, tashmë po gjenden para për të gjitha shtresat e shoqërisë, qoftë për ngritje pagash, qoftë dhuratë një mujore, dhe më shumë mujore, parash kesh nga shteti), pos pensionistëve.

Pensionistët e Kosovës janë të anashkaluar fare, të margjinalizuar skajshmërisht edhe nga Qeveria aktuale, nga ky pushtet, ndaj të cilit shtresa më e nëpërkëmbur shoqërore e Kosovës patën shumë shpresa. Kishin shpresë te pushtetarët aktual, që me vite, jo vetëm në kohë fushatash elektrorale, premtonin me ngulm “kopsht me lule” për ta, kthim vëmendjeje tek pensionistët, të cilën nuk e patën kurrë që nga përfundimi i luftës. Gjithnjë, pra pensionistët e Kosovës që nga viti 2000 e këtej kanë qenë totalisht të anashkaluar, të përbuzur dhe të injoruar ekstremisht, në radhë të parë nga autoritetet dhe institucionet. Hiç në dy-tre raste, kur për pensionistët e Republikës u dedikua ndonjë lëmoshë (vitin e kaluar edhe nga Qeveria Kurti u ndanë një apo dy herë nga 100 euro plus për secilin nga ta), asnjë qeveri e Kosovës, as Kuvendi e as ndonjë institucion tjetër nuk bëri asgjë për pensionistët, asnjëherë nuk ndodhi të ketë një përkujdesje, qoftë edhe simbolike për ta, asnjë dedikim financiar edhe simbolik, asnjë rritje as minimaliste pensioni për këta njerëz që bënë aq shumë për Kosovën edhe në ditë të mira edhe në ditë të këqia dhe të rënda. Prandaj, pensionistët besuan te pushteti aktual, te Qeveria e VV-së, që po del se mjeshtërisht i përdori ata me premtime të rrejshme dhe false, duke ua kthyer edhe këta shpinën sikur mos të ekzistonin fare.

Për të gjithë kosovarët e punësuar, edhe për ata që kanë paga sa pesë–gjashtë pensione të pensionistëve shumicë absolute të Kosovës, po gjenden para e mënyra për t’i dhënë ato, pos për pensionistët, që vazhdojnë të kenë pensione 100 euro (pensione të pleqërisë) dhe 200-260 euro (pensione kontributëdhënëse, sosh të pensionistëve të Kosovës që me 40-45 e 50 vjet pareshtur punuan në ndërtimin e Kosovës). Tani, pensionistët kosovarë duhet të jetojnë jetën e tyre të rënduar edhe më shumë nga krizat botërore dhe rritja e çmimeve e produkteve bazë me 100 euro pension. Ndërkohë që heshtja dhe moskujtesa e institucioneve të vendit për pesionistët vazhdon. Shkoi edhe gjysma e marsit dhe prap asnjë fjalë për pensionistët. Asnjë zë i vetëm nuk u dëgjua në këta muaj të 2023-tës as nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend, as nga opozita dhe krerët e saj, as nga prijësit e sindikalistëve të vendit, të cilët, së paku për obligim moral, do të duhej ta ngrenin zërin një herë të vetme për gjithë këtë injorim dhe mospërfillje totale ndaj brengave të pensionistëve të Kosovës. Por, këta të gjithë të lartëpërmendurit, edhe përfaqësuesit e popullit, edhe krerët e opozitës edhe prijësit e sindikalistëve, nuk lanë rast, madje lanë nam me agresivitetin e tyre, gjatë insistimeve të parreshtura dhe të pamata fare për përcaktimin e koeficientit të pagave në Ligjin e Pagave.

Deri kur do të anashkalohen dhe do të përbuzen në këto përmasa pensionistët kosovarë, mbetet të shihet. Ndërkohë që në të gjitha shtetet e rajonit, edhe në ato që fare pak kanë dallim nga varfëria e Kosovës, rritja e pensioneve dhe dhënia e ndihmave shtesë krahas punëtorëve të tjerë, nuk kanë rreshtur. /Buletini Ekonomik/