Bizneset në Kosovë në rrezik nga plaçkitjet

Plaçkitjet e mëdha që po ndodhin tash e dy muaj në Kosovë po e vështirësojnë edhe më shumë të bërit biznes në vend.

Përkundër gjitha vështirësive tjera, tashmë dhe klima e të bërit biznes është dëmtuar në aspektin e sigurisë. Kjo sipas njohësve të ekonomisë po e dëmton edhe imazhin për investitorët e jashtëm që të vijnë në Kosovë për të investuar.

Profesori, Muhamet Mustafa thotë se gjitha këto raste të plaçkitjeve janë drastike dhe shteti duhet të veprojë shpejt, pasi nëse kjo bëhet dukuri, Kosova do të hyjë në një fazë shumë të vështirë të punës së saj. Ndërsa, njohësi  i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadikaj thotë se të bërit biznes në Kosovë ka qenë shumë i vështirë, e veçmas siç thotë ai, tek rastet e fundit ku bizneset po bëhen cak i grabitjeve.

Reklama e sponzorizuar

Për gjitha këto raste, ai kërkoi një reagim më të qartë të institucioneve të Kosovës. Neglizhenca e këtyre të fundit, sipas tij, do të paraqitej një mesazh i keq për gjithë investitorët e jashtëm. Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Avni Islami është shprehur i shqetësuar me gjendjen e sigurisë në vend. Ai thekson se tashmë ka ndërruar dhe mënyra e grabitjeve ku po bëhen me armë të gjata, duke shkaktuar edhe rrezik të përgjithshëm.

Islami ka një kërkesë për gjithë institucionet përkatëse të sigurisë që të ndërtojnë disa mekanizma, ku do të parandaloheshin gjithë këto plaçkitje. Kurse, Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim thotë se caqet më të atakuara nga grabitësit kanë qenë bizneset dhe bankat e ndryshme në kryeqytet.

Polica po ashtu bëri të ditur se me qëllim të parandalimit të këtyre ka ndërmarrë disa plane operative, ku janë arrestuar disa persona të dyshuar. Po ashtu, bëhet e ditur se prej periudhës janar-nëntor të vitit të kaluar kanë ndodhur 263 raste të grabitjes me armë, e rajoni më i përfshirë sipas tyre është kryeqyteti me 77 raste.