Ekipi negociator thotë se nuk hiqet taksa 100% ndaj Serbisë

Ka përfunduar takimi në mes të delegacionit shtetëror të Kosovës dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, në Bruksel, shkruan Gazeta Express.

Pas takimit që zgjati më shumë se një orë janë deklaruar për media dy kryenegociatorët, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

“Sapo përfunduam takimin me zonjën Mogherini ku prezantuam rolin e këtij delegacioni. Shprehem se jemi të gatshëm të zhvillojmë dialogun që çon në njohje reciproke”, u deklarua Ahmeti. 

Reklama e sponzorizuar

Ai ka treguar se Mogherini ka thënë që me normalizim nënkupton mbylljen e secilës çështje të hapur, përfshirë edhe njohjen.

“Sipas Mogherinit, BE-ja përkrah secilën marrëveshje që përfaqëson vlerat e Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Kryetari i PSD së tha se kanë folur edhe për taksën dhe kanë shprehur qëndrimin e Kosovës, se nuk hiqet taksa.

Ekipi i dialogut, i formuar nga rezoluta e votuar në Kuvend më 15 dhjetor, përbëhet nga Blerim Shala, Avni Arifi, Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj, Mahir Jagcilar, Dardan Gashi, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. 

Ndërsa në takimin e sotëm prezent ishte edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernand Nikaj. Ymeri dhe Gorani nga PSD-ja plotësojnë vendet e zbrazëta të LDK-së dhe Vetëvendosjes, që refuzojnë këtë ekip. 

Ndërmjetësuesja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini, në letrat që ka shkëmbyer me kryeministrin Ramush Haradinaj ka thënë se ekipi i formuar nga Kuvendi do të mbështesë dialogun e nivelit të lartë që zhvillohet mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq.